1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Florijeta: Ata kishin frikë, ne dëshmuam mikpritjen shqipare

6 Janar 2020

Projekti i DW #Generation99 ka mbledhur në vitin 2019 për herë të parë studentë nga Kosova dhe Serbia. Në grupin e studentëve serbë, të cilët në dhjetor vizituan Kosovën. Shkruan Florijeta Dernjani.

Florieta Dernjani - Teilnehmerin des DW-projekts #Generation99
Fotografi: Privat

"Prishtinën e mendoja si një qytet me një rrugicë të errët dhe me shumë makina të dyshimta”. "Nuk u tregova gjyshërve të mi se do të vija në Kosovë, sepse nuk do më lejonin të vija” - ishin vetëm dy nga përshtypjet e shumta negative që kishin studentët nga Serbia para se të vinin në Kosovë, më 12 dhjetor. Në takimin e dytë të organizuar nga Deutsche Welle në kuadër të projektit #Generations99, erdhi vetëm një studente serbe, e cila ishte edhe në Kumanovë, në takimin e parë të mbajtur në qershor, në përvjetorin e përfundimit të luftës së Kosovës. Të tjerët thoshin se kanë angazhime në fakultet, e dukej shumë qartë se disa kanë pasur frikë të vijnë. Kësaj radhe erdhën studentë të tjerë nga Beogradi dhe Novi Sadi, e ajo çfarë hetuam ne menjëherë ishte - dallimi në mendësitë e tyre.

Dallimet mes studentëve të Beogradit dhe Novi Sadit

Studiuesit e Universitetit të Melbourne në Australi, thonë se njerëzit me mendje të hapur kanë "një derë” fleksibël dhe lejojnë pranimin e më shumë informacioneve, sesa personi mesatar, duke i kombinuar ato në mënyra të ndryshme. Kështu, duke u nisur tek të shprehurit me më pak rezerva dhe lirshmëria e këmbimit të përvojave, këndvështrimeve të ndryshme dhe mosngurrimi për t'i shprehur ato, linte të kuptoje se në fakt ekzistonte një dallim mes studentëve nga Beogradi dhe Novi Sadi. Studentët nga Novi Sadi karakterizoheshin me mendje të hapur, që nuk ishte vështirë të hetohej. Madje, njëri prej tyre donte të mësonte kuptimin e fjalës "e pavarur” dhe pas kësaj tha në shqip "Kosova është e pavarur”.
Por, të qëndrosh imunë ndaj të gjykuarit para se ta shohësh me sytë e tu, apo ta dëgjosh me veshët e tu, është e vështirë. Akoma më e vështirë është të marrësh guximin të shikosh me sytë dhe të dëgjosh me veshët e tu, rrjedhimisht kur kjo mund të përkthehet si "rebelim” ndaj atyre që të mësuan si të ecësh e kujt t'i besosh.

Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Paragjykimet

Çështja e paragjykimeve dhe metodat që duhet të përdoren në mos shuarjen, së paku zvogëlimin e tyre, mori hovin e trajtimit qysh në vitin 1954. Ishte koha kur Gordon Allport, një psikolog në Universitetin e Harvardit, paragjykimin e definoi si etiketimin negativ që bëhet në bazë të besimeve të fituara përmes njerëzve dhe situatave të rëndësishme, veçanërisht gjatë fëmijërisë dhe përmes familjes. Ai tek studentët e tij ka propozuar një metodë për zvogëlimin e paragjykimeve, e cila konsiston në kontakt të vazhdueshëm mes atyre dy grupeve që supozohet se paragjykojnë njëri-tjetrin. Por që kjo të ndodhë duhet të përmbushen këta gjashtë faktorë: (1) Anëtarët e të dy grupeve të kenë një shkallë ndërvarësie të ndërsjellë; (2) Të dy grupet duhet të ndajnë të njëjtin qëllim; (3) Duhet të kenë të njëjtin status; (4) Duhet të ketë mundësi për kontakte ndërnjerëzore midis grupeve; (5) Duhet të ketë shumë kontakte si brenda ashtu edhe ndërmjet grupeve; (6) Duhet të ketë rregulla që promovojnë barazinë, dhe të merren parasysh gjatë procesit.
Frika e studentëve serbë

Duke u bazuar në ato që shprehnin kolegët tanë serbë në qershor "Frikësohemi të vijmë tek ju, sepse mund të na lëndojnë” dhe asaj që thonin në dhjetor "Frikësoheshim të vinim, por tani e shohim se nuk ka pasur nevojë për frikë”, shihet qartë se si mund të përmbysen paragjykimet, gjithmonë kur ka kurajo për një gjë të tillë. Ani pse gatishmërisë sonë për mikpritje nuk iu përgjigjën të njëjtit studentë, ndonëse ne me ta kishim kontakte personale në rrjetet sociale, ardhja e një grupi pothujase në tërësi i panjohur për ne, nuk e zbehu dëshirën dhe frymën bashkëpunuese për t'ua treguar realitetin. Shëtitja rrugëve të Prishtinës pa nevojën e shoqëruesve, shkuarja në Mitrovicë dhe biseda me nënkryetarin e komunës së Mitrovicës së Jugut, apo lirshmëria e të folurit në gjuhën serbe në çfarëdo mjedisi që gjendeshin, janë disa nga faktorët që "thyen” fortifikatën e mendimeve të krijuara pabazë.

Fotografi: DW/J. Djukic Pejic
Fotografi: DW/S. Kljajic

Përveç vullnetit për bashkëpunim nga të dyja palët dhe ndërmjetësuesve të barabartë ( gazetarja shqiptare dhe ajo serbe), faktorët e Allport që u përmbushën ishin kontaktet njerëzore midis grupeve por edhe brenda grupit. Kjo e fundit na u ofrua gjatë vizitës në Mitrovicë, ku serbët takonin e flisnin me serbët e veriut, ndërsa shqiptarët me ata të pjesës jugore.
Falë zhvillimeve teknologjike dhe rrjeteve sociale, ne sot me studentët që ishin në Kosovë ndjekim njëri-tjetrin në rrjete sociale, që na mundësoi t'i shohim edhe përshtypjet e tyre nga Kosova përmes postimeve dhe fotove. Për dallim nga grupi i studentëve që ishin në Kumanovë, të cilët përshtypjet e tyre i shprehën edhe përmes shkrimit, duke përmendur disa strategji dhe një lojë me karta. Mbase edhe këtu rrjedh arsyeja e mosardhjes së tyre, mosqëndrimi pas fjalës që thuhet/shkruhet apo edhe një frikë nga llogaridhënia.

Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Megjithatë nuk mund të mohohet roli që ka kontakti i vazhdueshëm mes grupeve  në zvogëlimin e paragjykimeve, e ne këtu jemi në avantazh ndaj paraardhësve tanë - pasi tani e kemi më të lehtë të mbajmë kontakte. Përveç falënderimeve për ato dy ditë, neve grupit të studentëve nga Kosova, na u ngrohën zemrat në këto ditë të ftohta dimri, pasi edhe një herë u dëshmuam dhe përgëzuam për - mikpritjen shqiptare.

 

Florijeta Dernjani është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe pjesëmarrëse e Projektit #Generation99, të organizuar nga Deutsche Welle.