1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IWF und Weltbank warnen vor Währungskrieg

9 Tetor 2010

Me një takim të ministrave të financave dhe shefave të bankave qendrore, filloi të premten në Uashington takimi vjetor i FMN-së dhe Bankës Botërore. Frika ndaj një lufte monetare, i shqetëson pjesëmarrësit në takim.

Fotografi: picture-alliance/dpa

A mos ndodhemi para një garë zhvlerësimi të monedhave kombëtare, çka do ta fuste ekonominë botërore në një krizë tjetër? Shkas për këtë pyetje është konflikti në shkallëzim mes SHBA-së dhe Kinës. SHBA e akuzon Kinën se duke mbajtur artficialisht të ulët vlerën e monedhës kombëtare, Juanit, siguron pa të drejtë avantazhe në eksporte. Por Kina refuzon ta lerë monedhën e saj t'i nënshtrohet lojës së tregjeve. As Banka Botërore si financuese e projekteve për zhvillim dhe as FMN-ja si zjarrëfikës financiar i OKB-së, nuk janë instancat e përshtatshme ku mund të merren vendime për kurset e këmbimit. Megjithatë kjo temë do të jetë strumbullar diskutimesh në takimin e vjeshtës të të dy organizatave në Uashington.

Shefi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.Fotografi: AP

Për drejtorin e FMN-së Dominique Strauss-Kahn, çështja është krejt e qartë. Një luftë monetare është një përkufizim tejet militarist, "por fakt është se disa i shohin monedhat kombëtare si armë, dhe kjo nuk është mirë për ekonominë botërore", tha Strauss-Kahn në Uashington. Ekonomia duhet të gjejë një ekuilibër të ri, dhe "kjo nuk mund të ndodhë nëse pengohet përcaktimi i kurseve të këmbimit në tregjet e lira".

Më shumë të drejtë fjale, më shumë përgjegjësi

Një vërejtje e cila shkon qartë në llogari të Kinës, e cila është ndërkohë ekonomia e dytë më e madhe e globit, por që është dukshëm pak e prezantuar në instancat vendimmarrëse të FMN-së. Kina kërkon më shumë të drejtë fjale. Shefi i FMN-së drejtoi një apel i cili sërish i drejtohej qartë Kinës:

"Sa më shumë të drejtë fjale marrin në Fondin Monetar vendet në ekspansion industrial, aq më shumë përgjegjësi duhet të pranojnë për stabilitetin e sistemit. Ato mund të zgjedhin të jenë në qendër të sistemit, apo në periferi të tij. Por nëse duan të jenë në qendër, siç është dëshira legjitime e shumë vendeve në ekspansion industrial, atëherë duhet të pranojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe pasojat për ekonominë botërore".

Me fjalë të tjera, kush e mban në periudhë afatgjatë të ulët kursin e këmbimit të monedhës së vet kombëtare dhe siguron kështu avantazhe në eksport, forcon atë fenomen që FMN-ja dhe Banka Botërore duan të luftojnë: disekuilibrat në ekonominë botërore, të cilët vazhdojnë të ekzistojnë megjithë rritjen e moderuar ekonomike.

Duhen shmangur gabimet e së kaluarës

Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick.Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick, flet për rritje të moderuar të ekonomisë botërore, por kjo në disa vende është e pamjaftueshme për të krijuar vende pune. "Kur ka papunësi të lartë, ka edhe tensione. Këtë e shohim tani tek debati për kurset e këmbimit. Vendet e industrializuara i lënë të luhaten të lira kurset e tyre, ndërsa disa vende në ekspansion i mbajnë të ulëta kurset, për të nxitur eksportet. E gjitha kjo shkakton tensione. Por historia ka treguar se një garë për zhvlerësimin e valutave nuk ka të ardhme."

Tani ne kemi më shumë lojtarë se më parë, tha Zoellick, dha ata kanë interesa të ndryshme. Gjendemi në kohë të vështira sa i takon ekonomisë që shkaktojnë tensione. Propozimi im është që fillimisht të merremi me këto tensione. Nëse lejojmë që ato të kthehen në konflikte të forta apo proteksionizëm, rrezikojmë të përsërisim gabimet e viteve '30 të shekullit të kaluar". Ishin ato gabime që shkaktuan shpërthimin e krizës së parë të madhe ekonomike mbarëbotërore.

Autor: Rolf Wenkel / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama