1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Food Expo në Athinë

K. Symeonidis/Eliana Xhani19 Mars 2014

Kriza financiare në Greqi ka detyruar shumë sipërmarrje të riorientohen. Për shkak të rënies së kërkesës së brendshme shumë prej tyre përpiqen të shesin produktet e tyre jashtë.

Fotografi: DW/K.Symeonidis

Megjithëse sektori i ushqimeve dhe pijeve në Greqi është një shtyllë e rëndësishme mbështetëse e ekonomisë greke, deri tani vendi nuk ka pasur një panair të specializuar për këto produkte. Me panairin e parë ndërkombëtar të ushqimeve dhe pijeve në Athinë "FOOD EXPO" (15.-17-03.) po bëhen tani përpjekje që kjo zbrazëti të mbushet, thotë në bisedë me Deutsche Welle-n drejtori ekzeekutiv i organizatorit të panairit FORUM EA, Nick Choudalakis: "Food Expo është panairi i parë i organizuar për ushqimet dhe pijet në Greqi. Ai ka karakter ndërkombëtar për të mbështetur orientimin e sipërmarrjeve greke drejt eksportit."

Eksportet në Gjermani

Një fokus i veçantë në panair iu kushtua Gjermanisë, pasi ky vend është për sipërmarrjet greke një nga tregjet më interesantë evropiane, thotë Choudalakis. Në një "takim gjermano-grek" gjatë panairit Food Expo, vizitorët mund të informoheshin rreth tregut gjerman dhe veçorive të tij. "Ne zgjodhëm Gjermaninë pasi është një treg gjigant dhe shumë interesant", shpjegon Choudalakis. "Gjermanët janë konsumatorë shumë të vetëdijshëm që dinë të vlerësojnë vlerat e mëdha ushqyese të produkteve greke. Ne besojmë se ka një potencial shumë të madh për të rritur eksportet me Gjermaninë dhe për akses në këtë treg."

Food Expo 2014Fotografi: DW/K.Symeonidis

Iniciatore e takimit ishte shoqata ekonomike gjermano-greke DHW (Deutsch-Hellenische Wirtschaftsvereinigung). Sipas anëtarit të bordit drejtues i shoqatës Tryfon Kolitsopoulos, konsulent sipërmarrjesh nga Bonni, Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Greqisë në BE dhe "mund të bëhet madje tregu i parë i shitjes për produkte cilësore nga Greqia, nëse mbajmë parasysh që konsumatorët finalë në Gjermani, sipas një studimi aktual tregu, janë të gatshëm të shpenzojnë 16 për qind më shumë para për produkte cilësore", thotë Kolitsopoulos. "Por për këtë objektiv na duhet të punojmë shumë. Jam megjithatë i sigurt se gjendemi në rrugë shumë të mirë", thekson ekpserti në bisedë me DW.

Kriza si shans

Për shkak të krizës financiare dhe rënies dramatike të kërkesës në Greqi si pasojë e saj, shumë sipërmarrje greke u detyruan të ndryshojnë orientimin dhe të hedhin sytë drejt eksportit. Në mes të krizës dhe nën trysninë e rënies së shitjeve kjo përpjekje është tejet e vështirë, para së gjithash për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Firmat më të mëdha kanë marrë masa që përpara krizës dhe kanë guxuar të hedhin në kohë hapin në tregun e jashtëm. Por pjesa më e madhe e sipërmarrjeve jo, thotë Aspa Topalidou nga Creta Farms, një nga prodhuesit më të mëdhenj grekë të produkteve të mishit. "Greqia ka jetuar në një flluskë. Thënë ndryshe: përqendrimi ka qenë në kërkesën e brendshme dhe janë lënë pas dorë eksportet. Ky ishte një gabim pasi Greqia është një vend që mund të ofrojë produkte cilësore. Kriza na ofron shansin të mendojmë duke u orientuar nga eksportet."

Food Expo 2014Fotografi: DW/K.Symeonidis

Gjatë panairit "Food Expo" sipërmarrjet patën mundësi të lidhnin kontakte me blerës grekë dhe të huaj dhe t'i informonin ata për produktet e tyre. Në këtë mes problemi kryesor nuk është cilësia, por "fakti që Greqia i thekson dhe promovon shumë pak anët e saj të forta", mendon Konstantinos Schiffmann, menaxher i Imex-Lykos GmbH. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme nuk kanë ende asnjë përvojë se si mund t'ia dalësh mbanë në tregun botëror. Greqia prej disa vitesh po bën shumë për ta ndryshuar këtë."

Importuesi i madh kritikon edhe faktin që "në Greqi ashtu si më parë ka pjesërisht një mentalitet për fitime afatshkurtra në vend të të menduarit në terma afatgjatë. Por edhe kjo po ndryshon."

Më shumë se 50 blerës të mëdhenj nga Gjermania iu drejtuan panairit në Athinë. "Është e rëndësishme që këto biseda mes blerësve ndërkombëtarë dhe prodhuesve grekë të zhvillohen këtu në Greqi", mendon Giorgos Kanakis, menaxher shitjesh i prodhuesit të verës Cavino, që dëshron të eksportojë më shumë edhe në Gjermani. "Problemi në panairet e mëdha si p.sh. Anuga në Köln është se blerësit kanë si rregull shumë takime me prodhues nga e gjithë bota dhe Greqia nuk është prioritet. Por kur dikush vjen në Greqi atëherë është e kuptueshme që në kokë ka vetëm produktet greke." Gjatë panairit Kanakis pati mundësi të zhvillonte shumë biseda me blerës potencialë nga Evropa dhe SHBA. "Në këtë drejtim Food Expo" ishte një sukses i plotë." Objektivi i organizatorëve është ta bëjnë Food Expo forumin më të rëndësishëm tregtar për sipërmarrjet e sektorit dhe të tërheqin në Athinë edhe më shumë vizitorë të specializuar dhe blerës të mëdhenj nga e gjithë bota, e në veçanti nga Gjermania.

Menaxheri Nick Choudalakis duke folur për DWFotografi: DW/K.Symeonidis