Forca e re e sigurisë në Kosovë - profesioniste, mbi bazë vullnetare dhe politikisht e paangazhuar
29 Tetor 2008Fillimi i vitit të ardhshëm do të shënojë edhe fillimin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës e paraparë edhe në planin e ndërmjetësit Marti Ahtisari. Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pasardhëse e TMK-së. Kjo organizatë e cila doli nga ish UÇK-ja, tashmë do të shpërbëhet dhe shumica e pjesëtarëve të kësaj trupe do të nxirren në pensionim të parakoshëm.
Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të përbëhet edhe nga pjesëtarët të rinj të komuniteteve pakicë. Në krijimin e FSK-së janë të angazhuar drejpërsëdrejti oficerë të NATO-os. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, thotë se kjo trupë do të bashkëpunojë ngushtë me aleancën veriatlantike edhe pse trupa kosovare nuk do të jetë drejtpërdrejt e agazhuar në ruajtjen e kufijve të Kosovës. Kjo përgjegjësi akoma i takon trupave të KFOR-it.
Mujota: "Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë një forcë moderne e pajisur me armatim të lehtë të standardizuar. Do të jetë një forcë e paanshme politike profesionale dhe vullnetare. Do të jetë një forcë, e cila do të përgatitet për sfidat e mundshme paqësore në partneritet me NATO nëse është e nevojshme dhe jashtë Kosovës", thotë ministri Mujota.
Gjermania jep kontribut të drejtpërdrejtë për FSK
Në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është angazhuar derejpërdrejt edhe Gjermania. Qeveria gjermane ka ndarë një shumë prej shtatë milionë eurosh e cila do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të kësaj force. Këtë e konfimoi gjatë vizitës së fundit në Kosovë edhe ministri gjerman i mbrojtes Franz Jozef Jung. "Gjermania do të ndihmojë në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për këtë kemi zotuar një shumë prej shtatë milion eurosh të cilat do të shërbejnë jo vetëm për ndërtimin e kapaciteteve të saj por ndihma do të jetë edhe në pajisje", thotë ministri Jung.
Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të ketë 2500 pjesëtarë dhe 800 trupa rezervë. Udhëheqësit politikë kosovarë, thonë se procesi i shpërbërjes së TMK-së është një proces shumë i dhimbshëm. Por ata besojnë se shbërbërja e trupës do të kryhet me dinjitet. Qeshori i vitit të ardhshëm sipas tyre do të gjejë në detyrë njësitet e para të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo trupë e re në Kosovë do të ketë përbërje shumëetnike edhe pse shumë pak pjesëtarë të komunitetit serb pritet të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.