Forcim lidhjesh greko-rumuno-bullgare para pranimit në BE
29 Qershor 2006
Samiti tripalesh dyditor Greqi-Bullgari-Rumani me temë “Forcimi i lidhjeve në prag të integrimit në Bashkimin Evropian”, i organizuar dje edhe sot në Athinë nga “Economist”, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrave respektivë Karamanlis, Stanishev dhe Tariçeanu, i kaloi caqet e një mesazhi të qartë për integrimin e plotë më 1 janar të vitit 2007 të dy vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, për të cilin edhe komisioneri për Zgjerimin Evropian Olli Rehn pasi foli për “rezultate të pastra” dhe kërkoi “përshtatje të plotë të sistemit gjyqësor” të të dy vendeve me atë komunitar la të hapur mundësinë që të presin shiritin e integrimit brenda datës së caktuar.
“Konkretizimi i përspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit perendimor” ishte edhe referenca më e gjerë e komisionerit evropian në video-mesazhin e tij, por që u theksua me forcë veçanërisht nga të pranishmit me vlerësimin e tyre të përbashkët se “integrimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë në familjen evropiane do të përforcojë më tepër përspektivën evropiane të të gjitha vendeve të rajonit”.
Kësaj përspektive i mëshoi në fjalën e tij edhe kryeministri grek, Kostas Karamanlis, me mbështetjen e plotë të vendit të tij për integrimin e dy vendeve fqinj më 1 janar por edhe apelin ndaj vendeve të Ballkanit perendimor: “Të adoptojnë edhe të zbatojnë në praktikë imperativin se në çdo rast respektojnë (...)parimin e mirëkuptimit dhe mirëbesimit në zgjidhjen e çdo problemi që ka mbetur pezull nga e kaluara” tha Karamanlis, i cili dëgjoi nga homologët e tij, romun edhe bullgar, në vazhdim, se vetëm përmes integrimit në familjen evropiane të të gjitha vendeve ballkanike rajoni do të mund të shndërrohet “në burim sigurie dhe stabiliteti për vetë perendimin”.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian është “mekanizmi i paqës edhe i stabilitetit në Ballkan dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërpritet” theksoi nga ana e tij lideri i opozitës greke dhe njëkohësisht kryetari i Internacionales Socialiste, Jorgos Papandreu, duke shprehur kështu papajtueshmerinë ballkanike ndaj cdo ideje apo edhe spekulimi për ngadalësimin e proçesit të integrimit. Në këtë kontekst kërkoi “integrim të plotë edhe të Turqisë” dhe jo “marrëdhënie specifike të saj me Brukselin”.
Aspekti që reflekton më qartë përspektivën evropiane është padyshim “bumi” i investimeve perendimore me ekonominë e tregut për vendet e rajonit, që jo rastësisht ishin edhe kryefjala e këtij samiti me një auditor të gjerë biznesmenësh. “Evropa Juglindore ka të gjitha premisat që të shënojë mrekullinë ekonomike të dhjetëvjecarit të ardhshëm, siç ndodhi me Irlandën gjatë viteve 90-të” ishte vlerësimi i ministrit grek të Ekonomisë, Jorgos Allogoskufis. Të theksojmë se vetëm vendi i tij 15 vitet e fundit ka investuar 12 miliardë euro në vendet ballkanike dhe ka ngritur 3.500 biznese.