1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forcim strategjik - BE para reformimit

27 Nëntor 2019

Gjermania e Franca janë gati për të filluar me një iniciativë të parashikuar për reformimin e Bashkimit Europian. Synimi është forcimi strategjik i Bashkimit Europian.

Flaggen Frankreich Europa Deutschland
Fotografi: Reuters/H.Hanschke

Qëllimi i reformës së parashikuar të Bashkimit Europian është një "BE më e unifikuar dhe më e pavarur", thuhet në dokumentin përgatitor të qeverisë gjermane dhe asaj franceze, nga e cila citon agjenica e lajmeve dpa. Kjo reformë nuk përjashton as ndryshimin e Marrëveshjeve të BE.

Dokumenti i referohet propozimit të presidentes së ardhshme të BE, Ursula von der Leyen për një konferencë reformuese që do të debatojë mbi të ardhmen e Bashkimit Europian. Në këtë konferencë me një afat dy vjet do të diskutohet një spektër i gjerë temash që prekin BE që nga fuqizimi i rolit të BE në skenën botërore, mbrojtja, por edhe digjitalizimi, migracioni, mbrojtja e klimës dhe lufta kundër pabarazisë sociale dhe ekonomia sociale e tregut. Portali "politico" ka raportuar fillimisht për ekzistencën e një dokumenti të tillë reformues. Hapat reformues do të diskutohen edhe me qytetarët, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

Ideja e konferencës reformuese ishte lëshimi që Ursula von der Leyen i bëri Parlamentit Europian në verë. Eurodeputetët ishin të zemëruar, që krerët e shteteve dhe qeverive të BE i anashkaluan kandidatët kryesorë në zgjedhjet europiane, kur duhej të zinin postet me krerët e rinj të BE. Ursula von der Leyen nuk ishte kandidate për presidente e KE. Konferenca duhet të modifikojë rregulloret e zgjedhjeve demokratike në BE dhe do t'i japë Parlamentit Europian më shumë pushtet në zënien e posteve të BE.

Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Çfarë do të bëjë konferenca e reformimit të BE?

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar një rol të rëndësishëm të shteteve të BE në procesin e reformimit të unionit. Në samitin e BE në dhjetor pritet të lëshohet sinjali i gjelbër për fillimin e debatit të reformimit dhe në janar 2020 së bashku me Komisionin Europian dhe Parlamentin do të jepet mandati i kësaj konference europiane. Konferenca pritet të fillojë nga puna në shkurt 2020 dhe në gjysmën e parë të vitit 2022 duhen prezantuar rezultate konkrete tek krerët e shteteve dhe qeverive të BE, që do të vendosin për zbatimin konkret të tyre. Dokumenti francezo-gjerman nuk parasheh një rol të rëndësishëm për Parlamentin Europian.

Reformimi i BE prek edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Presidenti francez, Macron vuri si kusht për hapjen e negociatave me dy vendet reformimin e BE më parë. Motoja e tij është reformim para zgjerimit. Madje pas bllokimit të nisjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, Franca ka paraqitur së fundmi një dokument me ide për reformimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Fotografi: Reuters/R. Duvignau

Propozimi francezo-gjerman që vjen këtë kohë shkakton habi, sepse së fundmi mes Berlinit e Parisit ka pasur disa mospajtime. Presidenti francez, Emmanuel Macron e deklaroi NATO-n në "vdekje klinike" dhe me këtë argument kërkoi më shumë pavarësim ushtarak të Europës. Kancelarja Merkel u distancua nga këto deklarata të Macron, por megjithatë qeveria gjermane e mbështet forcimin strategjik të BE. Qëndrimi i Macron nuk përkon me qëndrimin e saj, tha Merkel në kuadër të një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. "Një goditje e tillë e gjithanshme nuk është e nevojshme, edhe pse kemi probleme dhe duhet të gjejmë zgjidhje."

 

la/dpa