Forcohet aleanca e populistëve para zgjedhjeve europiane
21 Prill 2019Partia e populistes së djathtë franceze, Marine Le Pen sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini i është bashkuar aleancës kritike ndaj BE që do të krijojë një grup parlamentar në Parlamentin e ri Europian. Kreu i partisë së djathtë, Lega falënderoi kryetaren e „Rassemblement National", partisë së „Bashkimit Kombëtar" dhe „miqve historikë dhe aleatëve" të partisë së tij. Edhe Jörg Meuthen, kreu i partisë gjermane, „Alternativa për Gjermaninë", AfD i përshëndeti „miqtë francezë në Parlamentin Europian".
Aktualisht populistët e djathtë janë mjaft të përçarë në nivel europian. Matteo Salvini po përpiqet që t'i bashkojë ata në një grup parlamentar të ri në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit për të forcuar maksimalisht ndikimin e tyre.
Aleancë por pa program zgjedhor
Salvini dhe Meuthen e ngritën në këmbë këtë aleancë para pak ditësh në Romë. Iniciatorët e aleancës e përcaktojnë atë si „patriotike" dhe „liberale". Edhe partia populiste austriake, FPÖ, partia „Finlandezët", partia Daneze Popullore dhe populistë të djathtë nga Estonia, „Sme Rodina" nga Sllovakia janë bërë ndërkohë pjesë e aleancës populiste djathtiste. Por ata nuk do të dalin me një program të përbashkët në zgjedhjet europiane.
Jörg Meuthen është kandidati kryesor i partisë gjermane, AfD për zgjedhjet europiane. AfD e quan të nevojshme daljen e Gjermanisë nga BE, nëse „idetë për reforma themelore në sistemin e tanishëm të BE nuk do të realizohen në një kohë të përshtatshme".
la/wa/pgr (dpa)