1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forum i Bankës Botërore në Mynih për Evropën Juglindore

10 Maj 2004

Bashkëroganizatore: Ministria e Ekonomisë e Bavarisë

Vetë jemi dëshmitarë të realizimit të shumë projekteve të infrastrukturës në Shqipëri e rajon, por cilët janë financuesit e tyre? Njëri ndër kontribuesit më të rëndësishëm është Banka Botërore. Gjatë vitit 2003 ajo ka ndihmuar me 18,5 miliardë dollarë në më shumë se 100 vende të botës - me ekspertizë financiare dhe teknike. Si një nga qendrat më të mëdha në botë për ndihmën për zhvillim Banka Botërore mbështet përpjekjet e qeverive të ndryshme për ndërtim shkollash dhe qendrash shëndetësore, rrjetesh ujësjellësash dhe rryme elektrike, për luftimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Banka Botërore nuk është bankë në kuptimin e mirëfilltë. Ajo është një nga agjencitë e specializuara të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe është e përbërë nga 184 vende anëtare. Këto vende mbajnë përgjegjësi të përbashkët për mënyrën e financimit të institucionit dhe të shpenzimit të fondeve.

Në kryeqytetin e landit gjerman të Bavarisë Mynih do të zhvillohet gjatë ditës së mërkurë forumi i degës gjermane të Bankës Botërore me temë Rritja e Përgjegjshme Ekonomike në Evropën Juglindore. Bashkëorganizatore e veprimtarisë është qeveria e landit të Bavarisë. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe manaxhimi i drejtë i burimeve ekziszuese përbëjnë parakushte për një rritje të përgjegjshme të ekonomive të vendeve të rajonit.

Në forumin e Mynihut Shqipëria do të përfaqësohet nga Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli. Për Kosovën do të jetë i pranishëm drejtuesi i shtyllës IV në administratën e UNMIK-ut Nikolaus Graf Lambsdorf. Maqedonia përfaqësohet nga Ministri i Ekonomisë Stevce Jakimovski dhe nga zëvendëskryeministrja Radmila Sekerinska.

Punimet e forumit do të zhvillohen gjatë gjithë ditës së nesërme. Përveç diskutimeve në sesion plenar pjesëmarrësit do të trajtojnë në sesione dhe grupe pune të veçanta tema specifike si: qeverisja, ndërlidhja e rrjeteve energjitike, zhvillimi i burimeve njerëzore dhe i sektorit privat.

Përveç një grupi bërthamë të përbërë nga 350 anëtarë qeverishë, organizatash joqeveritare, të medies, parlamentesh dhe të sektorit privat, organizatorët llogarisin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga shumë vende të Evropës Juglindore. Me përgatitjen e forumit është ngarkuar një komitet drejtues, në të cilin përfshihen përfaqësaues të Ministrisë së Ekonomisë së Bavarisë, Shoqata e Biznesit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare Biznesi e këtij landi dhe Banka Botërore.

Gjatë ditës së nesërme do ta mbulojmë nga afër dhe drejtpërdrejt forumin e Bankës Botërore për Evropën Juglindore nëpërmjet të dërguarit tonë atje Elert Ajazaj.