A është para shpërthimit lëvizja protestuese në Francë?
17 Tetor 2022Të dielën pasdite, mijëra demonstrues u mblodhën në Place de la Nation në verilindje tëParisit, duke mbajtur në duar tabela ku shkruhej "Stop evazionit fiskal" dhe "Unë dua një rritje page 52% si CEO i Total".
Protestuesit shpresuan se marshimi kundër rritjes së kostove të jetesës dhe mosveprimit të qeverisë ndaj ndryshimeve klimatike do të shënojë fillimin e një lëvizjeje proteste mbarëkombëtare.
Edhe disa analistë mendojnë se protesta mund të jetë fillimi i diçkaje shumë më të madhe dhe më të gjerë.
"Ne duam të luftojmë kundër politikave të qeverisë - ata thjesht marrin para nga më të varfërit," thërriste në një mikrofon një burrë me një xhaketë xhins dhe shall të verdhë nga spondi i një kamioni të vogël.
"Po," përgjigjej turma përballë tij.
"Ne do të marrim pjesë në të gjitha aksionet e rezistencës kundër këtyre politikave të padrejta," tha për DW pak më vonë Vincent Gay, njeriu në kamion. Anëtari 46-vjeçar i Attac, një OJQ që lufton për drejtësi sociale dhe mjedisore, shtoi se organizata e tij favorizon paga më të larta, ngrirjen e çmimeve të disa produkteve bazë dhe veprime vendimtare kundër ndryshimeve klimatike.
E majta shpreson për një "kombinim forcash”
Attac, si shumë OJQ të tjera, i ishte bashkuar një marshimi të organizuar nga Nupes. Kjo aleancë e krahut të majtë, e cila u bashkua për herë të parë për zgjedhjet legjislative franceze në fillim të këtij viti, përfshin partinë e ekstremit të majtë France Insoumise (LFI), Partinë Socialiste Franceze, të Gjelbrit dhe Partinë Komuniste. Sindikatat nuk u bashkuan me protestën zyrtarisht marshimit, megjithëse turma përfshinte disa nga anëtarët e sindikatës.
Nupes bëri thirrje gjithashtu që mosha e pensionit të ulet nga 62 në 60 vjeç dhe kërkoi të ardhura bazë për të rinjtë.
Ish-kandidati presidencial i LFI-së, Jean-Luc Mélenchon ishte në krye dhe në qendër mes protestuesve. Ai u tha gazetarëve se marshimi ishte dita e parë e një cikli protestash.
"Do të keni një javë si asnjë tjetër - do të jetë kombinimi i të gjitha forcave," tha ai.
Më pas ai e shpalli protestën të suksesshme, duke thënë se kishte pasur 140.000 pjesëmarrës. Policia më vonë tha se numri ishte rreth 30.000.
Greva të planifikuara për të martën
Mélenchon-i foli për një grevë të planifikuar për këtë të martë. Do të marrin pjesë sindikatat e mësuesve, punonjësve të sektorit të energjisë dhe punonjësve të SNCF dhe RATP.
Kjo lëvizje vjen pas javësh grevash në shumicën e rafinerive franceze, të cilat çuan në çmime më të larta të karburantit dhe mungesa. Punonjësit kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Qeveria tani ka frikë se ky marsh, si dhe dita tjetër e grevës, mund të jetë fillimi i një lëvizjeje proteste njëmujore, veçanërisht pasi ekipi i Presidentit Emmanuel Macron po punon për një reformë pensionesh, për ta rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç.
Bruno Cautre, politolog në Qendrën për Kërkime Politike në Universitetin e Shkencave Po në Paris, mendon se një valë e tillë proteste vërtet mund të jetë në përgatitje e sipër.
"Marshimi i sotëm tërhoqi një numër të madh pjesëmarrësish”, tha ai për DW.
Njerëzit mendojnë se sistemi është i padrejtë
"Kjo tregon se sa njerëz mendojnë se sistemi ynë është thellësisht i padrejtë - sepse ata e kuptojnë se disa punonjës paguhen shumë më tepër se të tjerët," shtoi ai. Paradoksalisht, grevat në rafineri e kanë vënë në pah këtë, pasi disa punonjës tashmë do të marrin shpërblime prej disa mijëra eurosh.
"Mund të jetë se kjo ka qenë pika e fundit që e bëri të derdhet gotën dhe tani popullata është revoltuar", u shpreh z. Cautres.
Danielle Tartakowsky, një historiane pariziane e specializuar në lëvizjet protestuese, flet gjithashtu për një "klimë të vështirë sociale".
"Numri i grevave ‘ofensive' në kompani është shumëfishuar – kjo do të thotë se njerëzit nuk do të bëjnë një grevë ‘mbrojtëse' për të ndalur shkurtimet, ata po bëjnë grevë për të kërkuar paga më të larta”, tha ajo tha për DW.
"Kjo është e jashtëzakonshme!" shtoi ajo.
E megjithatë, sipas Tartakowskyt, është e vështirë të thuhet nëse kjo do të çojë në demonstrata disamujore si ato të drejtuara nga "jelekverdhët", të cilët protestuan për më shumë drejtësi sociale nga nëntori 2018.
"Thjesht nuk mund ta dish se cila do të jetë shkëndija që do të ndezë grevat e përgjithshme si ato të viteve 1960 dhe 1990," tha ajo.
Franca po ecën më mirë se ekonomitë e tjera evropiane
Por Philippe Crevel, një ekonomist me bazë në Paris dhe themelues i grupit të ekspertëve Cercle de l'Epargne, thekson se në krahasim me disa vende të tjera, ekonomia franceze nuk po ecën aq keq.
"Inflacioni është 5.6%, krahasuar me një mesatare prej 10% në Europë, veçanërisht për shkak se qeveria ka kufizuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe subvencionuar çmimet e karburanteve”, shpjegon ai.
Ai shtoi se PBB i Francës parashikohet të rritet me jo më shumë se 1% vitin e ardhshëm, pasi në vendet fqinje si Gjermania po afrohet një recesion.
Kjo është arsyeja pse zoti Crevel beson se protestat janë kryesisht të motivuara nga arsye politike: "E majta dhe sindikatat duan të mbajnë qëndrim kundër Macronit, por nuk mendoj se do të arrijnë të nisin një lëvizje proteste në shkallë kombëtare në këto rrethana”, tha ai.
A mund të marrin popujt e tjerë shembull nga francezët?
Por Claudine Prioul nuk është i këtij mendimi. Ajo udhëtoi për në Paris nga departamenti Mayenne në veri-perëndim të vendit me bashkëshortin e saj Gérard dhe shoqen e saj Colette Paris. Të tre janë 70 vjeç, në pension, anëtarë të sindikatës së majtë CGT dhe kanë marrë pjesë në demonstrata që në të njëzetat e tyre.
"Ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht sistemin tonë politik në mënyrë që ligjet e tregut të mos jenë më faktori vendimtar dhe qeveria më në fund të bëjë atë që duan njerëzit,” tha Claudine Prioul për DW.
"Po e kam gjithnjë e më të vështirë t'ia dal mbanë me pensionin tim prej 1.510 eurosh," vuri në dukje ajo.
Burri i saj, Gérard, shtoi se qytetarët e vendeve të tjera mund të mësojnë një ose dy gjëra nga francezët dhe gjithashtu të dalin në rrugë.
"Ne francezët mendojmë gjithmonë se nuk po arrijmë asgjë me protestat tona,” tha ai. "Por nëse e krahasojmë situatën tonë me atë të vendeve të tjera ku askush nuk po proteston, ne kemi fituar shumë më tepër dhe kemi humbur më pak të drejta gjatë dekadave të fundit."