1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Konservatorët fitojnë zgjedhjet parlamentare

Kai Rainäcker11 Qershor 2007

Pesë javë pas zgjedhjes president i Francës, Nikola Sarkozi arriti të dielën suksesin e tij të parë në zgjedhjet parlamentare. Aleanca e tij fitoi bindshëm në raundin e parë

Francois Fillon, kryeministri francez
Francois Fillon, kryeministri francezFotografi: AP

Pas raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë partia konservatore ka siguruar shumicën për Asamblenë Kombëtare. Partia e presidentit Nikola Sarkozi, të zgjedhur përpara pesë javësh është në avantazh të dukshëm kundrejt socialistëve.

Në bazë të rezultateve të deritanishme bashkë me partitë aleate të qendrës konservatorët kanë fituar 46 përqind të votave. Kjo kuotë madje e tejkalon shumicën e nevojshme të dy të tretave. Bazuar në ligjin elektoral mazhoritar përllogaritja e ndarjes së mandateve pas raundit të parë nuk është e saktë dhe ajo do të vendoset në raundin e dytë të dielën e ardhëshme më 17 qershor.

Fijo fitoi në zonën e tij elektorale.

Numërimi i votave deri tani rezulton, që konservatorët do të kenë 400 deri në 500 deputetë nga 577 mandate që ka gjithsej Asambleja Kombëtare. Në këtë mënyrë qeveria e re e emëruar nga presidenti Sarkozi do të kishte dorë të lirë në parlament. Si rjedhojë kryeministri Fransua Fijo në një reagim të parë u shpreh i kënaqur duke iu drejtuar zgjedhësve: "Pas zgjedhjeve presidenciale mjaft pasionante raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare tregoi vullnetin tuaj, për t´i dhënë Francës një kurs të ri. Me këtë ju shprehni shpresën që t´i jepet fund dështimeve të së shkuarës dhe që vendi të çlirohet prej plogështisë dhe skepticizmit, kjo është shpresa e madhe për ta vënë sërish në lëvizje vendin tonë."

Ndërsa socialistët pësuan një humbje të fortë në këto zgjedhje.

Edhe në këtë kamp tani është e vështirë të llogariten saktë përmasat e humbjes. Pas numërimit të shumicës së votave socialistët kanë marrë vetëm rreth 28 përqind. Kësisoj ndarja e mandateve parlamentare luhatet në rreth 100 nga 577 vendet gjithsej. Kryetari i deritanishëm i partisë socialiste, Fransua Hollande, doli i pari me një deklaratë dhe shprehu shqetësim për pjesëmarrjen e ulët në votime: "Francezët thuajse nuk kanë dalë të votojnë në këtë raund të parë të zgjedhjeve parlamentare. Shumë kanë besuar, se pas zgjedhjeve presidenciale gjithçka ishte e qartë. Ne duam të themi, se edhe tani në raundin e dytë mund të merren vendime të rëndësishme."

Në fakt raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare tregoi, se francezët nuk janë kaq të interesuar si në zgjedhjet presidenciale përpara një muaji. Nëse në zgjedhjet presidenciale pjesëmarrja ishte 84 përqind këtë të dielë dolën në votime vetëm rreth 60 përqind e elektoratit francez. Kjo është pjesëmarrja më e ulët që ka pasur ndonjëherë në zgjedhjet në Francë qysh prej 50 vjetësh.

Segolene Rojal, e cila humbi edhe në zgjedhjet presidenciale u shpreh e zhgënjyer veçanërisht për mungesën e interesit të zgjedhësve të rinj: "Ka një rekord negativ sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Pra ka diçka që nuk shkon. Unë nuk ju fajësoj. Por ju duhet të mendoni, se ka njerëz, që rezikojnë jetën e tyre për të fituar të drejtën e votës. Pra shkoni të votoni në interesin tuaj."

Sa u perket partive të vogla deri tani nuk ka ndonjë surprizë

Të gjelbrit dhe komunistët të dielën e ardhëshme mund të fitojnë ndonjë nga ato pak mandate parlamentare të mbetura. Partia e sapothemeluar e politikanit të qendrës Fransua Bajro arrin të marrë rreth 7 përqind, por ajo mund të fitojë vetëm pas mandate. Fronti Nacional ashtu siç pritej si edhe në zgjedhjet e mëparshme parlamentare nuk ka asnjë deputet. Rezultati i saktë i votimeve do të përcaktohet në raudnin e dytë të dielën e ardhëshme.