1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca dhe Gjermania - samit për Kosovën të premten

6 Korrik 2020

Gjermania dhe Franca dëshirojnë të rigjallërojnë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Samiti mbahet të premten.

Steffen Seibert
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Pas takimit të tyre të hënën (29.06.) që shkoi në Berlin, kancelarja Angela Merkel tha në konferencën e shtypit se kishte diskutuar me Presidentin Macron edhe "për Libinë dhe Ballkanin Perëndimor". Por asnjëri nga liderët nuk e sqaroi më tej në prononcim çështjen e Ballkanit. E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung shprehu me këtë rast idenë se bëhet fjalë për çështjen e refugjatëve. Ndërsa të panjohurën e sqaroi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Siç njoftuan të dyja qeveritë, të cituara nga mediat gjermane, të premten e kësaj jave është planifikuar një samit me video me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Në të do të marrin pjesë kreu i shtetit serb Aleksandar Vucic, kryeministri kosovar Avdullah Hoti, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borell dhe përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha në Berlin se qëllimi është të mbështesë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së.

Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008. Vendet anëtare të BE-së janë gjithashtu të ndara për këtë çështje.