Franca dhe Spanja mbështesin rikthimin e Britanisë në BE
30 Shtator 2026
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e përshëndetën idenë e rikthimit të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian. Gjatë një vizite në Madrid, në një takim me Sánchezin, Macron reagoi ndaj mundësisë së rikthimit të Britanisë me dy fjalë në anglisht: "Welcome back" ("Mirë se u kthyet").
"Nëse britanikët duan të kthehen dhe nëse kryeministri po ecën në atë drejtim, mendoj se ky është një lajm shumë i mirë si për vendin e tij, ashtu edhe për evropianët", tha Macroni.
Megjithatë presidenti francez theksoi se Britania nuk mund të ketë një marrëdhënie selektive me BE-në duke qëndruar jashtë BE-së. "Nuk mund të zgjidhni mes lirive të BE-së dhe të merrni vetëm atë që ju përshtatet, duke lënë mënjanë pjesën tjetër", tha ai.
Sánchez e quajti largimin e Britanisë nga BE-ja pas referendumit të vitit 2016 "një humbje të madhe, si për popullin britanik ashtu edhe për të gjithë projektin evropian".
Kryeministri spanjoll shtoi se, nëse Britania do të përpiqet vërtet të ribashkohej me BE-në, "atëherë Spanja sigurisht do ta përshëndeste këtë dhe do t'i hapte sërish krahët një populli vëlla".
Në një deklaratë të veçantë të Bashkimit Evropian, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari, tha: "Mbretëria e Bashkuar është një partner i afërt dhe i vlerësuar i Bashkimit Evropian. I takon qeverisë britanike të përcaktojë se si dëshiron ta zhvillojë më tej marrëdhënien e saj me BE-në."
"Ne mbetemi të hapur për të diskutuar opsionet që mund të paraqesë", shtoi Ujvari.
Burnham: Britania duhet të shqyrtojë opsionet për marrëdhëniet me BE-në
Në një intervistë për BBC-në (30.09.) kryeministri britanik Andy Burnham tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të shqyrtojë alternativa të ndryshme për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.
"Mund të mbetemi siç jemi. Kjo është padyshim një mundësi, nëse njerëzit mendojnë se ky është pozicioni i duhur", tha Burnham, duke shtuar se një alternativë tjetër do të ishte "të shkojmë deri në fund".
Sipas tij opsione të tjera mund të përfshijnë rikthimin në tregun e përbashkët evropian ose bashkimin me një union doganor mes Britanisë dhe BE-së.
Gjatë fjalimit në konferencën vjetore të Partisë Laburiste të martën (29.09.) Burnham deklaroi se "Brexit-ika sjellë më shumë dëm sesa dobi". Ai shtoi se do të paraqesë "opsione të ndryshme" për marrëdhëniet mes Britanisë dhe BE-së në prag të samitit mes dy palëve që pritet të mbahet në nëntor.
Një vendim për t'u afruar më shumë me BE-në ose për t'u rikthyer në BE mund të hapte një debat të ashpër politik në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithëse anketat e fundit tregojnë se shumica e britanikëve mbështesin rikthimin në BE, ideja e miratimit të euros ose e kontributeve në buxhetin e BE-së ka të ngjarë të shkaktojë kundërshtime të forta. Po ashtu Britania vështirë se do të përfitonte nga përjashtimet speciale që kishte, kur ishte anëtare e unionit.
Për momentin Burnham i qëndron programit elektoral të Partisë Laburiste të vitit 2024, i cili përjashton rikthimin në BE dhe hapa të tjerë, si riangazhimi në tregun e përbashkët evropian. Megjithatë ai mund ta shtyjë partinë drejt një afrimi më të madh me BE-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se gushti i vitit 2029.