1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francezët protestojnë kundër rritjes së moshës së pensionit

8 Shtator 2010

Reforma e presidentit të Francës Sarkozy në sistemin e pensioneve ka nxitur protestat e qindra mijëra francezëve. Megjithatë qeveria mbetet e prerë: Në të ardhmen mosha e daljes në pension është minimumi 62 vjeç.

Qindra mijëra francezë në protesta
Qindra mijëra francezë në protestaFotografi: AP

Lëvizja e trenave dhe e autobusëve u paralizua, nëpër shkolla, spitale banka, e firma u zhvilluan greva. Mijëra vetë demonstruan nëpër rrugë - planet për rritjen e moshës së pensionit në 62 vjeç shkaktuan gjendje të jashtëzakonshme të martën (07.09.2010) në mbarë Francën. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Brendëshme në Paris, rreth 1,1 milionë vetë morrën pjesë në të gjithë vendin nëpër demonstrata.

Nga protestat në MarsejëFotografi: AP

Sindikatat u shprehën të kënaqura. Prej vitesh nuk kanë protestuar kaq shumë vetë nëpër rrugë, tha François Chérèque. Siç njoftoi Ministria e Arsimit, gati një e treta e mësuesve të shkollave fillore të martën (07.09.2010) nuk shkoi në punë. Në Paris greva shkaktoi probleme masive në qarkullim. Sipas të dhënave të drejtuesve të sektorit të qarkullimit urban një e katërta e të punësurave në këtë sektor pezulluan punën. Pasojat u ndienë edhe në Gjermani. Shoqëria ajrore Lufthansa anulloi një të kartërtën e fluturimeve mes Gjermanisë dhe Francës edhe disa trena të shpejtësisë së lartë që qarkullojnë midis dy vendeve ndërprenë punën.

Qeveria nuk lëshon pe

Ndërprerja e punës dhe demonstratat drejtohen kundër planeve të qeverisë franceze më rritjen e moshës minimale të pensionit deri në vitin 2018 - nga aktualisht 60 në 62 vjeç. Borxhet shtetërore duhet të ulen dhe arka e pensioneve duhet të rikuperohet, kështu argumenton qeveria. Sipas këtij argumentimi vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet nota e bonitetit "AAA", përmes së cilës agjencitë e vlerësimit (Rating) mund të përcaktojnë aftësinë kredituese të vendit.

Për presidentin Nicolas Sarkozy reforma është një projekt i rëndësishëm për periudhën që i ka mbetur mandatit të tij. Reforma duhet të miratohet në fund të tetorit. Të martën në Francë u zhvillua debati i parë për të në Asamblenë Kombëtare. Partitë e majta dhe sindikatat kanë kundër reformës së sistemit të pensioneve. Me këtë reformë qeveria franceze atakon një nga sistemet më të rëndësishme të sigurimeve, kritikojnë ato. Sipas tyre duhet të tatohen më mirë fitimet e bankave, për të plotësuar boshllëkun e arkës sociale.

1,1 milionë vetë morrën pjesë në të gjithë vendin në demonstrata.Fotografi: AP

Edhe dy të tretat e zgjedhësve francezë e konsiderojnë reformën të padrejtë: "Asnjëherë në hisotorinë e anketimeve populli francez nuk ka qenë kaq i bindur, që një gjë e tillë është padrejtësi sociale.", thotë Roland Cayrol nga Universiteti i Shkencave Politike në Paris.

Komisioni i BE-së mbështet Parisin

Mbështetje qeveria franceze merr nga Komisioni i BE-së në Bruksel: "Duhet të kesh guxim të thuash, që ne duhet të punojmë më shumë, në qoftëse duam që Evropa të fitojë betejën e konkurrencës me vende të tjera të ekspansion", tha Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso duke folur përpara Parlamentit Evropian në Strazburg.

Në mbarë BE-në,Franca ka ndërkohë moshën më të ulët të pensionit. Por Franca nuk është vendi i vetëm në Evropë, ku njerëzit në të ardhmen duhet të punojnë më gjatë. Spanja do ta rrisë moshën ligjore të daljes në pension nga 65 në 67 vjeç. Edhe Gjermania ka vendosur për pensionin në moshën 67 vjeçare. Në Itali mosha minimale e daljes në pension është rritur nga 57 në 61. Ndërsa Britania e Madhe planifikon rritjen deri në 68 vjeç.

Autor: Dirk Eckert/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW