170809 Iran Französin Freilassung
17 Gusht 2009Francezja kishte dërguar me e-mail raporte dhe fotografi nga demonstratat kundër Ahmadinexhadit
Ajo është e lumtur, dhe në gjendje të mirë shëndetësore, tha i ati i Clotildes, Rémi Reiss, pas bisedës telefonike që kishte pasur me të bijën. Pesë muaj me radhë kishte punuar ajo si lektore në Universitetin e Isfahanit dhe më 1 korrik donte të kthehej në Francë, por e arrestuan në aeroportin e Teheranit dhe e burgosën. Akuza: ajo kishte dërguar me e-mail raporte dhe fotografi nga demonstratat kundër rizgjedhjes së presidentit Ahmadinexhad, duke ndihmuar në këtë mënyrë opozitën.
Të dielën në darkë ajo u lirua nga burgu famëkeq i Teheranit, por nuk ka të drejtë të largohet nga Irani: Clotilde Reiss duhet të qëndrojë në ambasadën e Francës deri në marrjen e vendimit. Bernard Hourcade, specialist për Iranin pranë CNRS thotë:
"Kjo është etapa e parë – një herë për një herë ajo është e lirë me kushte. Tani duhet të presim vendimin dhe se kur do të jepet ky, kjo është e paqartë..."
Kouchner: Jemi të kënaqur që ajo është akuzuar vetëm për "nxitje" të demonstratave
Ministri i jashtëm, Bernard Kouchner tha se vendimi do të merret në tetë ditët e ardhshme, por:
"Kjo nuk mund të garantohet. Sidoqoftë jemi të kënaqur që ajo është akuzuar vetëm për "nxitje" të demonstratave dhe kjo akuzë nuk ka bazë dhe nuk do të mund të vërtetohet, por ky është vetëm një hap i parë."
Fillimisht Clotilde Reiss akuzohej edhe për spiunazh. Për lirimin e Clotilde Reiss Franca pagoi një shumë parash, se sa tamam nuk dihet, por bëhet fjalë për një shumë nga 3000-5000 euro.
Sarkozy ngul këmbë që francezja është e pafajashme
Presidenti Nicolas Sarkozy, i cili u angazhua personalisht për lirimin e Clotilde Reiss falenderoi BE-në dhe Sirinë për ndihmën që dhanë për ndërmjetësimin në këtë çështje. Ai ngul këmbë që francezja është e pafajashme. I të njëjtit mendim është edhe babai i saj, Rémie Reiss:
"Ajo nuk është nga ato që mund të drejtonin demonstrata. Ajo që bëri ajo ishte përshkrimi i thjeshtë i atyre gjërave që po ndodhnin në rrugë në kohën që ajo ishte në Universitetin e Isfahanit."
Në fillim të javës së kaluar ishte liruar pas pagimit të një shume parash edhe një punonjëse e ambasadës franceze në Teheran. Në bankën e të akuzuarve në Teheran gjenden më tepër se 100 opozitarë, ndaj të cilëve po zhvillohet një proces gjyqësor, që kritikohet ashpër në të gjithë botën.
Autor: Anke Shefer/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi