Frikë nga recesioni - Kriza e ndërtueseve grekë
20 Tetor 2010
Me 23% të produktit kombëtar bruto, me të drejtë ndërtimi cilësohet si “lokomotiva” e ekonomisë greke. Por tani, me krizën në thellim e sipër, ajo gati sa çapitet nëpër shinat me rrezikun e një blackout-i më të gjerë. “Sot këtë lokomotivë e kanë ndaluar dhe nuk marrin asnjë masë për zhvillimin” i thotë DW presidenti i Unionit grek të Ndërtuesve të Godinave, Dhimitris Kapsimalis, i cili sheh një triptik shumë të zymtë: “Apartamente pa banorë, biznesmenë pa para dhe ndërtues pa punë”.
Dega e ndërtimit paralizohet
Shifrat janë shokuese. Vetëm në Athinë dhe Pire kanë dy vjet që rreth 200.000 apartamente nuk po gjejnë blerës, kurse 1.000 kantiere ndërtimi në të gjithë vendin kanë heshtur. Investimet për sivjet janë ulur rreth 40% dhe sipas Bankës së Greqisë gjatë periudhës janar-gusht janë kryer vetëm 12.000 transaksione bankare për ndërtimin nga 70.000 që kryheshin mesatarisht për çdo vit para krizës.
Kapsimalis ka frikë nga një rritje e re e taksave të tjetërsimit të pronave nga fillimi i vitit tjetër në kuotën 30% të vlerës së tyre, që sipas tij do të jetë edhe “goditja përfundimtare” e degës së ndërtimit. “Do të kalojmë në një recesion të vërtetë dhe mosndërtim banesash të reja, me pasoja të pallogaritshme për rreth 1 milion të punësuar direkt ose indirekt në ndërtim”, shpreh shqetësimin ai.
Biznesmenët grekë të pakënaqur me bankat
Ndërtimi po paguan “haraçin” më të madh të krizës. Biznesmeni i imigracionit Kristo Tona nuk e fsheh pezmatimin e tij: “Po marr shembullin tim. Kam një ndërmarrje ndërtimi. Para një ose dy vjetësh kisha një xhiro ekonomike 1.5-2 milionë euro në vit në ndërtim, në të gjithë sektorët. Xhiroja ka rënë tani në 250-300 mijë euro”. Tona shpërthen kundër bankave që nuk e lëshojnë më paranë, ose siç thotë “tregojnë dhëmbët e kapitalizmit monetar dhe mundohen të mbledhin gjithçka në dorën e tyre”.
“Bankat kanë në dorë një rubinet dhe nuk e mbyllin pak nga pak që të lajmërojnë njerëzit se po pritet uji, por e mbyllën një herë e mirë”. Kristoja nuk e fsheh se ka marrë kredi dhe nuk është çudi që një pjesë të pasurisë së hipotekuar ta humbasë në këtë krizë që ai për veten e tij e quan “krizë likuiditeti”, por jo edhe psikologjike apo frike që mund të jetë për të tjerët.
Solidaritet në krizë
Kristo Tona nuk ka pushuar asnjë person nga personeli i tij. “Unë nga natyra jam optimist. Mundohem të ndajmë në mënyrë kolektive aq punë sa kemi edhe aq lekë sa kemi, duke filluar të shkruajë secili çfarë nuk ka marrë nga ndërmarrja me shpresë se një ditë do të hapet puna”. Kristo Tona ka besim se mund të fillojë nga e para me kapitalin e përvojës që ka. Një optimizëm që e ndan me gjithë ekipin e tij në kantierin e ndërtimit të një banese në Korinth, 150 km larg rezidencës së tij.
Përshtypjet e emigrantëve shqiptarë
“Ne si ndërmarrje nuk jemi edhe aq keq” thotë Fadil Vulaj nga Shkodra, marangoz pranë Kristos për 14 vjet që ndërkohë i vjen keq që “shumë nga patriotët nuk gjejnë punë dhe ikin për Shqipëri”. “Në Shqipëri nuk iki tashti për tashti. Ishalla bëhet më mirë” thotë dhe Ramazan Mema nga Elbasani që e konsideron veten me fat pavarësisht se merr “vetëm një pjesë të parave” me shpresën se do të “kalojë kriza e flamosur” dhe do të marrë edhe pjesën tjetër të punës së kryer. Për gurrëgdhendësin Pellumb Metushi nga Fieri guri nuk gdhendet kollaj, por edhe kriza nuk kalohet lehtë. “Dihet ajo. Vështirësi ka kudo. Dhe në Shqipëri. Nuk është vetëm në Greqi kriza”.
Se për shumë të tjerë gjërat janë akoma më të vështira kur 1 në çdo 11 banorë, sipas një studimi të Universitetit të Athinës, siguron ushqimin nga racionet falas të kishës dhe bashkisë. Si ndërtuesi tashmë i papunë Spiro Strati nga Saranda. “Kam 12 vjet që kam punuar në kalluposje. Kam tre vjet pa punë. Vijmë verdallë. Vijmë këtu se s'kemi ku hamë bukë. Nuk e di se si do të përfundojë kjo punë”. Ndërtimi siç i punësoi, po kështu edhe i çpunësoi imigrantët, që tani shtojnë më shumë se çdo kategori tjetër radhët e të papunëve.
Presidenti i Federatës së Ndërtuesve të Greqisë Janis Pasullas shpjegon se nga 115.000 ndërtues të siguruar 70.000 janë të papunë. “Ndaj shohim kohët e fundit që një pjesë e kolegëve imigrantë, veçanërisht kolegët shqiptarë marrin rrugën e kthimit për në atdheun e tyre” thotë Pasullas, i cili sheh dhe një rrymë tjetër emigrimi, atë të ndërtuesve grekë drejt “Rusisë, Rumanisë dhe vendeve arabe”.
Autor: Niko Anagnosti/Athinë
Redaktoi: Lindita Arapi