1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika nga Brexiti pa marrëveshje me BE

24 Gusht 2018

Jeta do të vazhdojë. Ministri britanik për Brexitin, Dominic Raab i përgatit qytetarët për plane emergjente për rastin e një Brexiti pa marrëveshje me BE. Ai i beson vullnetit të mirë të BE - dhe premtimeve të turbullta.

Club Sandwich
Fotografi: picture-alliance/Bildagentur-online/McP-Insadco

Ministri britanik i Brexitit, Dominic Raab dha aprovimin që të publikohen rreth 20 plane emergjence për fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të jetës në Britaninë e Madhe. Në bazë të këtyre planeve, ministritë në Londër do të ngrejnë strategjitë e tyre për rastin e një Brexiti shumë të ashpër. Deri në fund të shtatorit, numri i këtyre skenareve do të rritet në 80.

Për sektorin e industrisë farmaceutike, qeveria britanike bëri të ditur se Britania e Madhe do t'i njohë në bllok kontrollet e sigurisë që bën BE. Pra edhe në të ardhmen mund të importohen pa pengesa medikamente nga Evropa. Qeveria dëshiron të veprojë në mënyrë pragmatike dhe të mos shkaktojë probleme, shpjegon Raab. Ai beson që edhe BE do të veprojë po kështu, pra që do t'i pranojë pa i verifikuar medikamentet britanike në BE.

Por kjo duhet parë me pikëpyetje për të ardhmen, po të nisesh nga Brukseli. Sepse që në fjalinë pasuese, Raab tërheq vëmendjen që Mbretëria e Bashkuar vetëkuptohet që do t'u shmanget rregullave të BE, kur ta konsiderojë të drejtë këtë. Lidhjen e ngushtë me BE ai e përfytyron për kohën e menjëhershme pas Brexitit, kurse BE kërkon siguri juridike për bashkëpunimin e ardhshëm.

Fundi i qarkullimit të lirë të mallrave

Fotografi: Reuets/Y.Herman

Përsa u përket projekteve evropiane si programi shkencor Horizont 2020, programi i shkëmbimeve Erasmus për studentët ose ndihma për zhvillimin e BWE, qeveria britanike dëshiron që të marrë pjesë plotësisht edhe në të ardhmen në këto projekte, si anëtare që paguan kuotë të plotë. Raabi nuk e pranon, por në këtë fakt fshihet pranimi, se përbashkësia në disa fusha me BE është e domosdoshme.

Edhe për ushqimet, Londra dëshiron që fillimisht t'u përmbahet edhe më tej rregullave të BE, për të garantuar importin dhe eksportin e tyre, në mënyrë që sallata dhe domatet për sanduiçin e preferuar britanik të mbërrijnë vërtet në supermarketet britanike. Po përgatiten edhe formularë të rinj për doganat dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, tha Raab. Do të shtohet burokracia dhe radhët në kufi. Qarkullimi i lirë i mallrave, siç e njohim tani, do të marrë fund.

30 vjet programi ErasmusFotografi: European Union/M. Cugnot

Gjithsesi, e gjitha ka për të kushtuar shumë para: përveç 700 milionëve të planifikuar, ministri i Financave duhet të planifikojë tre miliarda të tjera paund britanikë, për pasojat e Brexitit. 9000 nëpunë të tjerë do të punësohen për këtë qëllim, 1000 prej tyre do të jenë vetëm për doganat.

Jo qasje në llogaritë bankare?

Shumë gjëra mbeten të paqarta, si për shembull çështja e të drejtave të qytetarëve britanikë dhe të qytetarëve të BE në anën përkatëse të kanalit. Mund të dalin probleme me qasjen në llogaritë bankare, thuhet.

Përsa i përket Irlandës së Veriut dhe qarkullimit të mallrave atje pas Brexitit, Londra tregon nga Dublini. Në rast nevoje do të duhet të lidhet në njëfarë mënyrë ndonjë marrëveshje me qeverinë irlandeze, deklaron ministri i Brexitit.

"Unë i shoh rreziqet e Brexitit në plan afatshkurtër", thotë ministri në një fjali, për t'u betuar në fjalinë tjetër se Britania e Madhe do të largohet me çdo kusht nga BE: "Ne duhet t'i shfrytëzojmë shanset e Brexitit", thotë ai.