1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frontex: 300.000 refugjatë nga Libia drejt Europës

la/(rtr, dpa, Bild)19 Qershor 2016

Anijet europiane do të na shpëtojnë: Gjithnjë e më shumë emigrantë marrin rrugën e rrezikshme të Mesdheut, me shpresën se anijet e emergjencës do t’i ndihmojnë. Frontex sheh këtu një nga arsyet e valës së refugjatëve.

Mittelmeer Flüchtlinge Rettungsaktion
Fotografi: Reuters/Marina Militare

Në një prognozë të fundit të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufijve, thuhet se BE do përballet me vale të re refugjatësh. Frontex paralajmëron Europën se nuk është e përgatitur për zhvillimet e reja lidhur me krizën e refugjatëve, pas mbylljes së itinerarit ballkanik. Tani edhe kreu i agjencisë, Frontex, thekson se Bashkimi Europian vetëm këtë vit do të përballet me ardhjen e 300.000 emigrantëve me gomone përmes itinerarit të njohur të Mesdheut.

„Llogarisim ardhjen e rreth 10.000 refugjatëve në javë nga Libia“, citon gazeta gjermane „Bild“, drejtorin e Frontex-it, Klaus Rösler, i cili është shprehur kështu në një aktivitet të Fondacionit Konrad-Adenauer në Bruksel. Një nga arsyet e numrit të lartë të refugjatëve që vijnë me gomone është vrojtimi më intesiv dhe prezenca e emergjencës detare të Bashkimit Europian. Kjo bën që kontrabandistët të nisin pa asnjë hezitim gjithnjë e më shumë refugjatë me gomone në det. Shumë emigrantë besojnë, se do të shpëtohen në det nga anijet e BE-së.

Krahas shpëtimit në rast rreziku dhe luftimit të bandave të trafikantëve, anijet e BE-së duhet që në të ardhmen të marrin përsipër të pengojnë edhe trafikimin e armëve drejt Libisë. Qeveria gjermane, sipas raportimeve në media, synon të zgjerojë misionin e marinës së BE-së, “Sophia” para pushimeve të verës. Të mërkurën e ardhshme (22.06) kabineti qeveritar do të trajtojë zbatimin e embargos së armëve të OKB-së kundër vendit të përfshirë nga lufta civile, kanë raportuar gazeta të grupit mediatik “Funke Mediengruppe”, duke iu referuar qarqeve qeveritare.

Fregata gjermane, "Hessen" ndihmon refugjatët në MesdheFotografi: picture-alliance/dpa/Bundeswehr/A. Gottschalk

Kundër furnizimit me armë të xhihadistëve

Të martën (14.06) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri mandatin për zgjerimin e misionit “Sophia”. Anijet që marrin pjesë në këtë mision në të ardhmen lejohet të kontrollojnë anijet e dyshuara. Ndërsa ministrat e Jashtëm të BE-së zhvillojnë lidhur me këtë temë bisedime të hënën në Bruksel (21.06). Embargoja e armëve synon të forcojë qeverinë e unitetit në Libi, e mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara. Përmes saj synohet që të ndalet furnizimi me armë dhe municione i grupeve të ndryshme të milicëve, të cilët luftojnë qeverinë e unitetit, mes tyre edhe xhihadistët e të ashtuquajturit, “Shteti Islamik”. Marina gjermane është pjesë e misionit të BE-së, “Sophia”, me dy anije luftarake dhe rreth 400 ushtarë, që janë aktivë në këtë mision nga qershori i vitit 2015.