1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi befasues i një feste - Atentat ndaj Benazir Butos në Pakistan

Christoph Heinzle19 Tetor 2007

Armiqtë e Butos dje në mbrëmje treguan, se kërcënimet e tyre nuk ishin fjalë boshe. Të paktën 130 vetë gjetën vdekjen pas sulmit ndaj eskortës së Butos

Rrugët në Karaçi ishin mbushur me gjymtyrë dhe rrënojaFotografi: AP

Kthimi i pritur me entuziazëm i Benazir Butos (Benazir Bhutto) ishte një ndër ngjarjet politike më spektakolare në historinë e Pakistanit. Papritur festa u ndërpre nga sulmi më i përgjakshëm që ka ndodhur në këtë vend në këto 60 vitet e fundit. Kjo ndodhi pak pas mesnatës, teksa dy lëndë shpërthyese u aktivizuan në afërsi të eskortës së Butos.

Autokolona e Benazir Butos ndodhej në gjysmën e rrugës nga aeroporti duke udhëtuar drejt mauzoleumit të themeluesit të shtetit Jinah në qendër të Karaçit. Në këtë vend politikania do të zhvillonte manifestimin e parë në Pakistan pas tetë vjetëve mërgim. Më pas ndodhi shpërthimi, siç vë në dukje një dëshmitar okular: "Ne po lëviznim bashkë me eskortën. Pasi makinat u ndalën për pak pati një shpërthim. Policët dhe forcat e rendit, që mbronin autobusin, vdiqën në vend. Shpërthimi i dytë në një veturë ishte më i fuqishëm. Edhe shoferi i kësaj makine gjeti vdekjen. Ne menjëherë u afruam dhe nxorrëm kufomat."

Ndërkohë është e qartë: ishte një atentat kamikaz. Fillimisht flitej për dhjetëra të vdekur, por tani numri i viktimave arriti mbi 100, ndërsa në mëngjes u numëruan mbi 130 viktima. Disa qindra janë plagosur. Në vendin e ngjarjes mbizotëronte kaosi dhe frika, sepse për shkak të kthimit të Butos edhe në orët e vona të mesnatës kishin dalë në rrugë edhe masa njerëzish që ushtronin dhunë. Forcat e shpëtimit dhe kalimtarët mblidhnin të vdekurit dhe të plagosurit. Rrugët ishin mbushur me gjymtyrë dhe rrënoja. Një makinë e policisë kish marr zjarr, ndërsa një tjetër ishte shkatërruar tërësisht.

Benazir Buto nuk u plagos. 54 vjeçarja, udhëheqëse e opozitës, pak minuta para shpërthimit nga platforma e zbuluar e autobusit të blinduar ishte futur në kabinë. Buton menjëherë e dërguan në shtëpinë private të saj dhe manifestimi në mauzoleumin Jinah u anullua. Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf dhe kryeministri Shaukat Aziz e dënuan sulmin. Musharafi e cilësoi atë si një "komplot kundër demokracisë". Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë ndaj atentatit.

Menjeherë pas sulmit të përgjakshëm nisi diskutimi politik i shoqëruar me akuza të ndërsjella mes përfaqësuesve të qeverisë dhe politikanëve të partisë popullore të Benazir Butos. Atentatet priteshin kryesisht prej ekstremistëve myslimanë, por edhe nga ish-ushtarët. Autoritetet kanë dështuar, deklaroi Benazir Buto duke kërkuar dorëheqjen e shefit të shërbimit të brendshëm sekret. Politikani i partisë popullore Nisar Khuro tha: "Si mund të ndjehem përpara të pafajshmëve në sfondin e këtij krimi burracak, në një kohë që qeveria nuk mban qëndrim serioz? Kryeministri i provincës përhap deklarata të papërgjegjshme. Ka pasur gabime në garantimin e sigurisë. Mua më vjen turp për të gjithë këtë. I gjithë Pakistani tani e ka kokën e ulur."

Kryeministri i provincës Sindh në Karaçi tha, se ministria e brendshme e provincës i kish rekomanduar urgjentisht Butos, që ta shkurtonte udhëtimin në qendër të qytetit. Autobusi i blinduar i Butos qysh prej mbërritjes së saj pasdite ndodhej prej mëse dhjetë orësh nëpër rrugë duke ecur ngadalë për shkak të masës së qindra mijëra simpatizantëve që brohorisnin. Pjesën më të madhe të kohës, Benazir Buto qëndronte në platformën e zbuluar të autobusit e pambrojtur. Shefi i policisë së Karaçit, Azhar Faroqi tha: "Nuk ka pasur neglizhime në vendosjen e sigurisë. Në rast të kundërt ne nuk do të kishim pasur kaq shumë të vdekur dhe të plagosur në radhët e policisë. Forca e shpërthimit preku automjetet e policisë. Këto siguronin automjetin e politikanes. Nuk ka pasur gabime në masat e sigurisë."

b#b

Kthimi i Benazir Butos ishte hapja e luftës elektorale për partinë e saj popullore për zgjedhjet parlamentare të janarit. Buto do të kandidojë për t´u bërë për herë të tretë kryeministre e vendit, kësaj radhe nën presidentin Pervez Musharaf. Gjykata supreme e Pakistanit ndërkohë po konsultohet mbi ligjin e amnestisë, nëse është ai në përputhje me kushtetutën ose jo. Dekreti i presidentit Musharaf e shfuqizoi akuzën për korrupsion duke i hapur rrugën kështu kthimit të Butos në vend. Ky dekret konsiderohet si baza për ndarjen e pushtetit midis dy politikanëve në armiqësi.