1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i monedhave të vogla?

Friedel Taube / Eliana Xhani20 Maj 2013

Prerjet 1 dhe 2 cent të euros kritikohen për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe shpërndarjes. Për këtë arsye Komisioni i BE-së po shqyrton mundësinë e heqjes nga qarkullimi të monedhave prej bakri.

Fotografi: Fotolia/PA

Në këto kohëra krize, po bëhen gjithnjë e më të fortë zërat që kërkojnë heqjen e euros. P.sh. nga një parti e re gjermane, "Alternativa për Gjermaninë", e cila kërkon heqjen sa më parë të monedhës së përbashkët.

Komisionerit të BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, i duhet të shqyrtojë aktualisht të paktën një heqje të pjesshme të euros. Jo euron vetë, por dy prej prerjeve më të vogla të saj: monedhat 1 dhe 2 qindarkëshe. Këtë ia kanë kërkuar komisionerit Parlamenti dhe Këshilli i BE-së. Konkluzioni i Rehn pas anketimeve të para me përfaqësues të ndryshëm interesash nga ekonomia dhe politika ishte se: "Prodhimi i monedhave 1 dhe 2 cent është qartë një biznes me humbje."

Monedhat më të shtrenjta se vlera e tyre nominale

Kosto e prodhimit të monedhave, të cilat në brendësi janë prej hekuri dhe jashtë prej bakri, tejkalon vlerën e tyre nominale. Atyre u shtohen edhe kosto të konsiderueshme kur monedhat duhet të shpërndahen në tregtinë me pakicë. Komisioni i BE-së bën të ditur se diferenca mes kostove të prodhimit dhe vlerës së vërtetë nominale të monedhave, është rritur që prej futjes së euros në mbi 1,4 miliardë euro.

Komisioneri RehnFotografi: picture-alliance/dpa

Në Finlandë dhe Holandë, qarkullimi i pagesave pa monedhat 1 dhe 2 cent është tashmë realitet: meqenëse të gjitha çmimet rrumbullakosen deri në pesë cent, dy prerjet më të vogla të monedhës praktikisht kanë dalë nga qarkullimi. Për Gjermaninë një skenar i papërfytyrueshëm, thotë Stefan Hertel, zëdhënës për shtypin i Shoqatës së Tregtisë në Gjermani: "Ka anketime përkatëse, edhe nga Banka Federale, që tregojnë se një shumicë shumë e madhe konsumatorësh dëshiron ruajtjen e monedhave 1 dhe 2 cent."

Edhe tregtia me pakicë dëshëron mbetjen e monedhave, qoftë edhe për faktin se prej vitesh është praktikë që për arsye psikologjike, çmimet të kenë pas presjes dhjetore "99" cent: "Kjo nuk do të ishte më e mundur pa monedhat prej 1 cent", thotë Hertel.

Furnizim i shtrenjë me para

Në Gjermani përgjegjëse për shpërndarjen e monedhave në tregtinë me pakicë është Banka Federale. Që në vitin 2002, banka ka reduktuar rrjetin e filialeve të saj për të reduktuar kostot. Kjo nuk është praktike për të gjithë ata tregtarë të cilët duhet t'i marrin vetë paratë pranë Bankës Federale. Carl-Ludwig Thiele, përgjegjës në bordin drejtues të bankës për furnizimin me para të thata, në bisedë me Deutsche Welle-n, e mbron vendimin e bankës: "Ne si Bundesbank nuk duhet të jemi të pranishëm me filiale në gjithë territorin e Republikës." Në fund të fundit edhe Banka Federale duhet të punojë me rentabilitet dhe konsumatori final nuk e ka ndjerë aspak reduktimin e filialeve.

Kritikë e qartë ndaj kursit të kursimeve të Bankës Federale vjen nga tregtia me pakicë. "Qysh në fillim në kemi kritikuar dhe tërhequr vëmendjen se nga mbyllja e filialeve rrugët do të bëheshin më të gjata", thotë Hertel. Veç kësaj tregtarët e pakicës kritikojnë edhe një tjetër masë të Bundesbank, e cila e ka shtrenjtuar sigurimin e parave të thata. Banka Federale pati reaguar që në 2011 ndaj kostove shumë të larta të transportit dhe i jep monedhat euro vetëm në të ashtuquajtur "kontenierë normë". Gjithsej janë tetë kontenierë normë për secilën prej prerjeve të monedhave. Kontenierët normë për monedhat e vogla kanë 2500 euro për monedhat 1 cent dhe 4000 euro për monedhat 2 cent. Një sfidë e vërtetë për të gjithë tregtarët e vegjël, pasi porositë më të vogla janë të mundura vetëm kundrejt pagesës.

Carl - Ludwig Thiele nga BundesbankFotografi: picture-alliance/ dpa

Qindarkat të shtrenjta për tregtinë me pakicë

Heqja e monedhave 1 dhe 2 cent do të ndihmonte mjaft tregtarët e vegjël, pranon Hertel. Por pavarësisht se sa kushton shpërndarja e parave të thata, Banka Federale nuk ka asnjë plan të heqë nga qarkullimi prerjet 1 dhe 2 cent për sa kohë shumica e gjermanëve nuk e dëshiron këtë, thotë Carl-Ludwig Thiele nga Banka Federale. Pra nëse komisioneri Rehn gjatë shqyrtimit të tij nuk arrin në përfundimin se euro duhet të hiqet pjesërisht nga qarkullimi, portofolët e gjermanëve dhe evropianëve do të vazhdojnë të jenë të mbushur me monedha bakri.

Gjermanëve iu pëlqen të paguajnë me qindarkaFotografi: picture-alliance/dpa