1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i parave të lira - Banka Qendrore Evropiane rrit interesat

8 Korrik 2011

Në luftë kundër inflacionit, Banka Qendrore Evropiane e ngriti interesin bankar për zonën e Euros për herë të dytë këtë vit. Por kur huazimi i parave kushton shumë e dëmton ekonominë e shteteve kandidate për falimentim.

Banka Qendrore Evropiane rrit interesat - Jean Claude Trichet
Banka Qendrore Evropiane rrit interesat - Jean Claude TrichetFotografi: dapd

Banka Qendrore Evropiane reagoi ndaj inflacionit në rritje dhe ngriti interesat bazë bankare. Interesi më i rëndësishëm bankar, në bazë të të cilit bankat mund të marrin hua para nga Banka Qendrore Evropiane të enjten u ngrit nga 1,25 në 1,50. Kjo është ngritja e dytë brenda këtij viti. Që në prill e nisi Banka Qendrore Evropiane kthesën në interesat bankare, duke e ngritur interesin bazë nga 1.0 në 1,25%, për të penguar një rënie edhe më të fortë të konjukturës. Meqenëse shumica e vendeve evropiane e kanë marrë sërish veten, por inflacioni mbetet i lartë, Banka Qendrore Evropiane i jep fund tani politikës së parasë së lirë. Megjithatë, interesi prej 1,5 përqind vazhdon të mbetet shumë i ulët. Shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Jean Claude Trichet e justifikoi këtë hap me rreziqet e inflacionit:

"Ka rëndësi vendimtare, që ngritja më e fundit e çmimeve të mos çojë në plan afatmesëm në një presion të gjerë inflacioni. Me vendimin tonë ne kontribuojmë në synimin tonë që shkallën e inflacionit në plan afatmesëm ta mbajmë tek nën dy përqind."

Në qershor, inflacioni në zonën e Euros ishte 2,7 përqind, pra shumë më i larte se sa synohej. Por në një kohë kur disa vende me konjukturë të lartë, si përshembull Gjermania ose Hollanda, janë në gjendje ta përballojnë më mirë një interes bazë të lartë bankar. Vende të tjera, ngritja e interesit bankar i fut në vështirësi edhe më të mëdha. Vende me borxhe të mëdha dhe me rritje të dobët ekonomike, si Greqia dhe Portugalia për shembull, e kanë tani edhe më të vështirë që të rifinancojnë shpenzimet. Por këtë argument, Trichet-ja e anashkalon:

"Stabiliteti i çmimeve dhe besimi kanë rëndësi thelbësore për mirëqenien e të gjithë kontinentit tonë. Kur me vendimin tonë ne e ruajmë besimin dhe stabilitetin e çmimeve, të gjithë ne përfitojmë."

Trichet-ja u ndal shkurt edhe në rolin e agjencive të klasifikimit të riskut, pas uljes së fundit prej tyre të besueshmërisë për kredi të Portugalisë nga agjencia Moody's. Vendimet e agjencive kanë efekte prociklike, pranoi Trichet-ja. Gjithashtu oligopoli prej pak institutesh është problematik, megjithatë- dhe shefi i bankës qendrore kërciti gishtërinjtë, kaq lehtë nuk mund të zgjidhet problemi.

Shoqata Federale e Bankave Gjermane e lëvdoi ngritjen e interesit. "Një rritje reale ekonomike me thuajse dy përqind këtë vit nuk do të ishte në përputhje me një interes bankar bazë, i cili është thuajse në nivelin e recesionit," tha në Berlin drejtori i Shoqatës, Michael Kemmer. Ai tha se një politikë financiare shumë dorëlëshuar e lehtëson lindjen e rreziqeve në tregjet financiare. Njëkohësisht, ai tha se Banka Qendrore Evropiane vepron është e matur në veprimet e saj. Sepse ajo është e detyruar që të ndeshet jo vetëm me shtimin e presionit për ngritjen e çmimeve, por edhe me krizën e borxheve shtetërore dhe me pasigurinë në tregjet financiare.

Megjithatë, sipas Shoqatës Federale të Bankave Gjermane, Banka Qendrore Evropiane nuk mund ta drejtojë politikën e saj monetare nga zhvillimi konjukturor i shteteve të veçanta, por duhet të mbajë parasysh të gjithë hapësirën e Eurozonës. Edhe në sajë të stabilizimit gradual të politikës monetare, inflacioni vitin e ardhshëm pritet të ulet. Kjo do të shërbente si bazë për ngritje të tjera të interesave bankare në tregun e kapitalit.

Ekspertët e ekonomisë thonë se rritja e interesave bankare bazë në Gjermani do ta dobësojë ngritjen e çmimeve, pa e mbytur konjukturën. Kjo në një kohë kur shlodhja ekonomike në vende si Italia dhe në vende ku rritja ekonomike është më e dobët, do të frenohet. Shtetet e mbytura nga borxhet do të kenë edhe më shumë probleme.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti