050911 Syrien Gewalt
5 Shtator 2011Sirianët mbajnë zi për viktimat e dhunës shtetërore - një ritual ndërkohë i zakonshëm pas gati gjysmë viti protestash qytetare dhe reagimi ushtarak të regjimit. Ishte një fundjavë e përgjakshme: grupet e aksionit numërojnë rreth 50 të vrarë; 2.200 viktima regjistron OKB-ja që prej fillimit të protestave në mars. Është e dyshimtë nëse te kjo mund të ndryshojë gjë shefi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (i cili gjendet tani në Damask) dhe së shpejti përfaqësuesi i Ligës Arabe.
Reagimi i Perëndimit nuk ka efekt
Perëndimi mjaftohet me protesta, me ndalim hyrjeje për përfaqësues të regjimit dhe me bllokimin e llogarive të tyre, masa këto qartazi të paefektshme. Edhe vetë arma më e fortë deri tani, ndalimi i importeve për naftën siriane në BE, rrezikon të mbetet pa efekt. Hyrja e saj në fuqi jo më herët se mesi i nëntorit, i lë Damaskut kohë të mjaftueshme për të kërkuar klientë të rinj, për shembull në Kinë, thotë eksperti i naftës Julian Lee:
"Gati të gjitha eksportet siriane shkojnë në Evropë. Atyre do t'u duhet pak kohë për riorientim, por për një kohë relativisht të shkurtër kanë blerës të rinj. Është e dyshimtë se ç'efekt të vërtetë ka embargoja për të ardhurat në valutë të Assadit. Mendoj, se BE-ja para së gjithash donte të tregonte: 'Po bëjmë diçka!' Por nuk besoj, se kjo do të ketë efekt të madh; as në planin afatmesëm."
Rusia mbështet edhe më tej Assadin
Para së gjithash Rusia vazhdon t'i qëndrojë pa u lëkundur përkrah Assadit dhe e dënon embargon. Masat ndëshkuese nuk zgjidhin probleme, thuhet në Moskë. Ajo është livruesja më e madhe me armë e Sirisë.
Me gjasa armët luajnë rol edhe në konfliktin midis popullit dhe pushtetit shtetëror. Ky i fundit thotë që prej fillimit për protestën, se ka synime terroriste. Një gazetë siriane akuzon tani një opozitar të vjetër, të respektuar, Michel Kilo, se u ka bërë thirrje demonstruesve që të armatosen. Propaganda po punon me kapacitet të plotë. Shumica dërrmuese e lëvizjes opozitare vazhdon të duket paqësore dhe e refuzon ndërhyrjen e huaj si në Libi. Por verbalisht toni po ashpërsohet: në Damask protestuesit bëjnë thirrje për ekzekutimin e Bashar al-Assadit.
Autor: Ulrich Leidholdt / Elert Ajazaj
Redaktoi: E. Xhani