1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Funerali për ish-presidentin e Izraelit Shimon Peres

30 Shtator 2016

Nën masa të rrepta sigurie në Jeruzalem mbi 3000 të ftuar i dhanë lamtumirën e fundit Shimon Peresit. Njëzëri refereusit në ceremoninë e përmortshme e vlerësuan ish-presidentin si një njeri dhe politikan të madh.

Israel Beisetzung Shimon Peres
Fotografi: Reuters/A.Awad

Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin e quajti Peresin një luftëtar të palodhur për Izraelin dhe për pajtimin me palestinezët. Ai e vlerësoi parardhësin e vet si një vizionar të madh. "Ti kishe aftësinë e rrallë, për të bërë realitet idetë në dukje të pamundura." Optimizmi i madh i Peresit, sipas tij, ishte ngjitës. Deri në fund ai ka luftuar, që Izraeli të mund të jetojë si një shtet i pavarur në paqe me fqinjët e vet. "Ndonëse ne nuk kemi qenë në një mendje, duhet të besojmë, që ti ndoshta ke të drejtë", tha Rivlin lidhur me përpjekjet e nobelistit të paqes për një marrëveshje gjtihpërfshirëse paqeje në Lindjen e Mesme. Vdekja e Peresit "është një humbje e madhe personale dhe kombëtare".

Fotografi: picture-alliance/dpa/M.Kahana

Bota e bashkuar në lamtumirën e Shimon Peresit

Personalitete të ftuara nga e gjithë bota të premten (30.09) në Jeruzalem i bënë nderimin e fundit pionierit të Izraelit Shimon Peres. Edhe presidenti palestinez Mahmud Abbas ishte i pranishëm në funeral. 

Peres ishte "njëri ndër udhëheqësit më të mëdhenj të popullit tonë", tha kryeministri Benjamin Netanjahu në fjalën e tij. Jetën ai ia kushtoi luftës për një marrëveshje paqeje me palestinezët. "Nuk është e fshehtë, që ne ishim kundërshtarë politikë, por përgjatë viteve ne u bëmë miq, madje miq të ngushtë." Netanjahu pranoi, se ata shpesh janë grindur për rrugën e duhur për paqen në rajon. "Por tek e fundit unë besoj, se ne të dy kishim të drejtë." Në Lindjen e Mesme të kapluar prej luftimeve paqja mund të arrihet vetëm nga një pozicion i forcës. "Por qëllimi është bashkëekzistenca, paqja për ne dhe popujt e rajonit dhe për fqinjët tanë palestinezë."

Fotografi: Picture-alliance/dpa/A. Safadi

Presidenti i SHBA-së Barack Obama që referoi i fundit e vlerësoi Peresin një "gjigant" të shekullit të 20-të dhe e vendosi atë në një nivel me Nelson Mandelan. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton tha, se Peresi nuk u tërhoq asnjëherë. Me të Lindja e Mesme humbi avokatin e saj më të madh të paqes.

Në ceremoninë e varrimit të Shimon Peresit merrnin pjesë mbi 90 delegacione nga rreth 70 vende të botës, ndër ta shumë kryetarë shtetesh. Nga Gjermania ishin të  pranishëm presidenti Joachim Gauck, ministrii Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe ministrja e Punës Andrea Nahles. Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk, presidenti francez  François Hollande, mbreti i Spanjës Felipe VI. dhe trashëgimtari i fronit të Britanisë së Madhe princi Charles. Ndër të ftuarit pjesëmarrës ishin edhe presidenti palestinez Mahmud Abbas dhe ministri i Jashtëm i Egjiptit Sameh Schukri. Shtetet arabe të Gjirit Persik kishin dërgua një delegacion. 

Jeruzalemi i ngjan një fortifikate

Ceremonia e përmortshme në varrezat kombëtare në kodrën Herzl  u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rreth 8000 policë ishin angazhuar të mbështetur nga rreth 1000 punonjës të shërbimit sekret. Detyra e tyre ishte garantimi i sigurisë për ceremoninë zyrtare dhe dhjetra mijëra të ftuarve, që kishin ardhur në Jeruzalem. Në Izrael thuhet, se ky është operacioni më i madh i sigurisë që ka pasur ndonjëherë në vend.

 

Arkitekt i marrëveshjeve të paqes

Arkivoli i Peresit gjatë ceremonisë së përmortshme u shoqërua nga një procesion funeral i gardës së nderit dhe nga familja e tij duke kaluar nga Knesset (Parlamenti) deri në varrezat kombëtare në kodrën Herzl. Një rabin ushtarak recitonte lutjet hebreje të zisë. Rreth 50.000 izraelitë në Knesset i dhanë lamtumirën e fundit ish-presidentit, arkivoli i të cilit ishte vendosur para parlamentit.

Fotografi: picture-alliance/Photoshot

Peres ishte përfaqësuesi i fundit i brezit të themeluesve të shtetit të Izraelit dhe një ndër arkitektët e marrëveshjeve të paqes me palestinezët. Për këto merita në vitin 1994 bashkë me ish-kryeministrin e Izraelit Itzhak Rabin dhe kryetarin e OÇP-së (PLO) Jasir Arafat ai u nderua me Çmimin Nobel të Paqes. Por as sot e kësaj dite nuk është arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes dhe krijimi i një shteti të pavarur palestinez.

Peres ka qenë 60 vjet aktiv në politikën izraaelite. Para se të zgjidhje president (2007 - 2014) ai ka qenë dy herë kryeministër dhe disa herë ministër. Peres ndërroi jetë të mërkurën (28.09) në moshën 93 vjeç dy javë pas një hemoragjie cerebrale.