Wahlkampfbilanz
24 Shtator 2009Tema për fushatën zgjedhore mund të kishe sa të duash. Psh, si do të veprohet më tej me pasojat e krizës ekonomike? Po në Afganistan? Po me mbetjet atomike. Këto janë të tema të rëndësishme, që u interesojnë njerëzve në Gjermani. Por e ashtuqujtura fushatë zgjedhore zvarritej, pa u ofruar qytetarëve as përgjigje gjysëm konkrete, apo së paku diskutime interesante.
Tri partitë opozitare ishin ata, që u pozicionuan më së shumti. Por: te partia liberale FDP receta e krizës "të ulen taksat" të befason me të vërtetë po aq pak, sa edhe parulla "Energji atomike, jo faleminderit" e Të gjelbërve. Dhe për të majtët me kërkesat "jashtë nga Afganistan" dhe "pasuri për të gjithë" dihet pak a shumë me siguri, se nuk do të drejtojnë qeverinë.
Një debat të vertetë për tema të rëndësishme nuk pati - për shumicën e qytetarëve fushata zgjedhore qe pak luftarake. Dueli i madh televiziv ndërmjet kancelares, Angela Merkel, e partisë konservatore CDU dhe sfiduesit socialdemokrat Ministrit të Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, u përjetua si duet në harmoni, si një reklamë për vazhdimin e koalicionit të madh aktual.
Jo se gjermanët e duan sherrin. Për shumë qytetarë debati në politikë është i bezdishëm, një zhurmë të panevojshme. Por si zgjedhës qytetarët gjermane duan që të merren seriozisht. Prandaj ishte dashur të flitej për problemet dhe hallet e njerëzve, ku kandidatët e partive përkatëse të propozonin zgjidhje, që mund të zbatohen. Por në vend të kësaj zgjedhësit në shumë raste morën sllogane pa përmbajtje dhe përspektiva të mjegulluara.
Në mjegullën e një të ardhmeje të paqartë mbeten në rradhë të parë shqetësimet për miliona vende të pasigurta pune dhe rënien e pagave. Çfarë do të bëhet me industrinë e automobilëve aq të rëndësisshme në Gjermani pas premieve për makinat e përdorura, që e ngriti aq shumë kërkesën për makina në Gjermani para zgjedhjeve? Me çfarë shkurtimesh në sektorin publik dhe social do të paguhen shkurtimet e mundshme të taksave? Çfarë do të bëhet me borxhet e shtetit të shtuara shumë në kohën e krizës, sa e qëndrueshme është deviza? Sa do t'u kushtojnë qytetarëve zvarritjet me mbetjet atomike të zbuluara pak para zgjedhjeve? Dhe çfarë ngarkesash financiare dhe humane priten në misionin e Bundesverit në Afganistan, që po bëhet çdo ditë e më i padëshërueshëm dhe më i rrezikshëm?
Meqenëse ka kaq shumë tema janë të hapura, ka kaq shumë zgjedhës të pavendosur pak ditë para zgjedhjeve. Ndër ta ka shumë, që nuk e dinë, nëse do të shkojnë të votojnë. A është kjo mospërfillje ndaj demokracisë?
Autor : Jochen Vock
Redaktoi : Aida Cama