1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll, automobilizëm, tenis, sporte dimërore

Elert Ajazaj20 Mars 2006

Bajerni gjashtë pikë përpara të dytit, Hamburgut

Michael Ballack mendohet se do ta lërë Mynihun dhe do të kalojë në Londër
Michael Ballack mendohet se do ta lërë Mynihun dhe do të kalojë në LondërFotografi: picture-alliance/dpa

Bajerni i Mynihut rivendosi dje epërsinë prej gjashtë pikësh ndaj të dytit në renditje, Hamburgut. Bajerni mundi 3:0 Shalken. Golat u shënuan nga Hasan Salihamidzic, Claudio Pizarro dhe Roy Makaay. Bavarezët kishin tre ndeshje kampionati që nuk fitonin. Ja se si shprehet bosnjaku në radhët e Bajernit, Salihamidzic:

"Ne duam të bëhemi kampionë dhe unë dëshiroj me çdo kusht të dal kampion. Ndeshja e sotme ishte një prej atyre ku shikuesit në rast të një rezultati negativ mund të kishin thënë, o Bajerni lëkundet."

Ndërsa Michael Ballack, i cili sipas të gjitha gjasave sezonin e ardhshëm do të luaj për anglezët e Chelsea-t, u shpreh:

"Ne dhamë një sinjal. Kjo ishte një fazë ku shumë vetë llogarisnin me një shkarje të Bajernit dhe shpresonin gjithashtu që kjo të ndodhte që Bundesliga të mbetej interesante. Ne dhamë sinjalin e duhur."

Pas një dëmtimi në gju në stërvitje lojtari i kombëtares gjermane Sebastian Deisler do ti nënshtrohet një operacioni në SHBA dhe nuk do të mund të marrë pjesë në kampionatin botëror. Në kuadër të një skandali të ri bastesh në Bundesligë, spekulimet e shtypit për një përfshirje të Bastian Schweinsteiger-it nuk janë vërtetuar. Shalke mbetet në vendin e tretë me 51 pikë. Ekipi takohet në çerekfinale të kupës UEFA në 30 mars dhe 6 prill me Levskin e Sofies.

Hamburgu që fitoi 0:1 të shtunën ndaj Volfsburgut e kishte ngushtuar përkohësisht në tri pikë largësinë nga Bajerni. Një goditje të rëndë i dha Verder Bremenit humbja 3:1 në Nyremberg. Ja se ç'thotë mesfushori i Verderit Tim Borowski:

"Pretendimi ynë ishte dhe mbetet zënia e një vendi që të kualifikon për Ligën e Kampionëve. Për çastin duket se kjo do të jetë e vështirë."

Rezultatet e tjera të javës së 26 të kampionatit ishin:

Hanover / Këln 1:0
Frankfurt / Duisburg 5:2
Dortmund / Kaizerslautern 2:1 (Ervin Skela shënoi këtu me një goditje të lirë)
Mënhengladbah / Shtutgart 1:1
Leverkuzen / Mainc 1:2
dhe Berlin / Bilefeld 1:0

Tre vendet e fundit i zënë: Kaizerslauterni, Duisburgu dhe Këlni.

Nga Formula 1: Italiani Giancarlo Fisichella fitoi garën për Çmimin e Madh të Malajzisë. I dyti u rendit kolegu i tij i ekipit Renault, kampioni i botës Fernando Alonso. Jenson Button i Hondës zuri vendin e tretë. Vëllezërit Schumacher zunë vendet 6 dhe 8. Pas garës së dytë të sezonit kryeson me 18 pikë kampioni Alonso i ndjekur me 11 pikë nga Michael Schumacher dhe Jenson Button.

Tenis: Zvicerani Roger Federer ka fituar për të tretën herë me radhë turneun Indian Wells. Ai mundi në finale amerikanin James Blake me rezultat: 7-5 6-3 6-0.

Sport Dimëror: Për të parën herë biatletja 29 vjeçare gjermane Kati Wilhelm, kampione olimpike në Torino, ka fituar në Kupën e përgjithshme të Botës.

Me 1.960 pikë skiatorja kroate Janica Kostelic ka vendosur një rekord të ri për nga numri i pikëve të mbledhura brenda një sezoni.