1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll dhe automobilizëm

Elert Ajazaj24 Tetor 2005

Bajerni sërish në krye të renditjes në kampionatin gjerman

Michael Ballack
Michael BallackFotografi: picture-alliance/dpa

Pas vetëm një jave Verder Bremen e dorëzoi kryesimin e renditjes tek Bajerni i Mynihut. Veriorët e Bremenit barazuan 0:0 në Hanover. Me vetëbesimin që u furnizuan në Champions League kundër Juventusit bavarezët marshuan edhe në Bundesligë këtë javë duke mundur bindshëm 4:0 Duisburgun. Ja se si u shpeh pas fitores së tretë me radhë në grupin A të martën trajneri i Bajernit Felix Magath:

"Përfundimi më i rëndësishëm është se zotëruam dhe fituam me meritë kundër një skuadre ndërkombëtare të klasit të parë. Për mendimin tim ne duhet të kishim shënuar edhe ndonjë gol tjetër, shfrytëzimi i rasteve çalonte sot tek ne."

Edhe kapiteni Michael Ballack që do të vendosë deri në fund të nëntorit për qëndrimin ose jo në Mynin ishte i kënaqur me formën e treguar:

"Nuk besoj që ky ishte niveli i vërtetë i Juves, por megjithatë edhe ne kishim meritën tonë në këtë fitore. Bënë lojë shumë të mirë duke ushtruar trysni mjaft të madhe sidomos në pjesën e parë e duke i detyruar që të shfaqin dobësi të pazakonshme në mbrojtje."

Pa fitues u mbyllën dy ndeshjet e djeshme të kampionatit gjerman:

Si Bajer Leverkuzen kundër Shtutgartit edhe Borusia e Dortmundit kundër Hamburgut dolën barazim 1:1. Seria e fitoreve të Borusia Mënhengladbahut që këtë javë mundi 4:1 Kaizerslauternit zgjon shpresa tek përkrahësit e skuadrës për një ringjallje pas sukseseve të mëdha të viteve shtatëdhjetë. Në takimet e tjera të javës së dhjetë të kampionatit u shënuan këto rezultate:

Herta e Berlinit / Mainc 3:1
Volfsburg / Shalke 0:0
Nyremberg / Arminia Bilefeld 2:3
dhe Ajntraht i Frankfurtit / Këln 6:3.

Trysnia mbi trajnerin dhe lojtarët e Këlnit po rritet nga java në javë. Ja se si shprehet trajneri Uwe Rapolder pas humbjes së pestë radhazi:

"Loja jonë në pjesën e parë ishte një katastrofë. Ndodhi pikërisht ajo që jemi përpjekur të shmangim. Në organizimin e mbrojtjes në shpëtonin gabimet njëri pas tjetrit. Ajo që ofruam ishte e pamjaftueshme për një ndeshje kaq të rëndësishme kundër një konkurrenti të drejtpërdrejtë."

Tabela: I pari Bajerni me 25 pikë, i ndjekur nga Bremeni me 23 dhe Hamburgu me 21 pikë. Nga 18 pikë kanë Shalke dhe Mënhengladbah.Tri vendet e fundit i zënë: Mainci me 7 pikë dhe Duisburgu e Nyrembergu me nga 6 pikë.

Automobilzëm: Një aksident të rëndë pati dje në mbyllje të kampionatit gjerman DTM ish-piloti i Formulës 1 Heinz-Harald Frentzen. 38 vjeçari doli nga kursi me Opelin e tij dhe u përplas me një stivë gomash. Më pas ai u transportua me helikopter për në spital ku për fat u konstatua vetëm një tronditje e lehtë e trurit.