Futboll: Fitore e merituar e Gjermanisë ndaj
14 Qershor 2012Gjermania festoi lehtësisht triumfin e ndeshjes mjaft të pritshme në kuadër të Kampionatit Evropian ndaj rivalit të saj tradicional, Holandës. Me një rezultat të ngushtë 2:1 ekipi gjerman fitoi në duelin me ekipin fqinjë duke shënuar kështu edhe fitoren e dytë në Grupin B, pas asaj me Portugalinë javën e kaluar 1:0.
Megjithatë nuk ishte lehtë: ekipi gjerman dominoi në gati 60 minuta të ndeshjes, ndërkohë që kundërshtari i tij tregoi fillimisht mangësi, që më pas i përmirësoi në pjesën e dytë të lojës.
Konluzioni i trajnerit të Gjermanisë Joachim Löw ishte: "Loja ishte e ashpër, ishte intensive. Ne kemi vërejtur po ashtu se në disa faza tek të dy ekipet natyrisht që mungonte pak dinamikë. Por gjatë zhvillimit të lojës unë besoj se ishim fitues të denjë". Sipas trajnerit Löw e gjithë loja e ekipit gjerman u zhvillua siç ishte planifikuar. Përmes dy pasave që mori Mario Gomez, gjermanët pas 38 minutash shënuan dy gola. Ishte mesfushori Bastain Schweinsteiger që tregoi aftësi të jashtëzakonshme për t'i dhënë të dy topat sulmuesit Gomez të cilat ai i dërgoi të dyja në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2:0 duke i shokua kështu edhe portokallinjtë.
Holandezët u treguan të dobët dhe pa ide duke mos arritur gjë megjithë përpjekjet e pakta në pjesën e parë. Por gjërat ndryshuan me ndryshimin në pjesën e dytë të dy lojtarëve nga trajneri Van Marwijk : Huntelaar dhe Van der Vaart. Tulipanët megjithatë nuk arritën as në pjesën e dytë të ndryshojnë shumë megjithse një gol i Van Persie në minutën e 73-të bëri që të ngushtohet diferenca e golave mes dy ekipeve.
Lojtari Mario Gomez, golshënuesi më i mirë deri tani për gjermanët, pasi edhe me Portugalinë është ai autori i golit të vetëm shprehet entuziast për fitoren e ekipit: "Ne duhet të jemi realistë. E kemi nisur garën me një fitore kundër Portugalisë që është një ekip jashtëzakonisht i fuqishëm. Ne kemi luajtur tashmë kundër Holandës dhe kemi tani si ekip në grupin tonë gjashtë pikë. Çfarë duam më?"
Tani djemtë e trajnerit Joachim Löw janë vetëm një pikë larg kualifikimit, ndërkohë që për Holandën është vështirësuar edhe më tepër rruga drejt kualifikimit. Të dielën e ardhëshme (17.06) Gjermania do të përballet me Danimarkën. Në fillim të këtij evropiani Holanda ishte një nga pretendentet më të mëdha për titullin Kampion, së bashku me Spanjën dhe Gjermaninë.
Autor: Arnluf Boettcher/Mimoza Kelmendi