1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll: Shtutgarti mund 3:0 Shalken

Elert Ajazaj11 Prill 2005

Bajerni kryeson me tri pikë më shumë sesa Shalke

Një gol spektakolar nga gjysma e fushës shënoi këtë javë braziliani Marcelinho (majtas) i Hertës së Berlinit
Një gol spektakolar nga gjysma e fushës shënoi këtë javë braziliani Marcelinho (majtas) i Hertës së BerlinitFotografi: AP

Gjashtë javë përpara përfundimit të sezonit futbollistik në Gjermani së paku në krye tabela ka marrë pamjen e vet të zakonshme. Bajerni i Mynihut, fituesi i titujve më të shumtë kampion në vend, kryeson me 59 pikë, tri më shumë sesa i dyti, Shalke 04 dhe me diferencë golash 16 pikë më të mirë (+28 ndaj +12). Bavarezët e përmbysën rezultatin në fushën e tyre nga 0:1 në 2:1, pasi Borusia Mënhengladbah, e drejtuar nga hollandezi Dick Advocaat, kryesonte që nga minuta e 65 me anë të golit të shënuar nga Ulich. Për Bajernin shënuan Scholl dhe kapiteni Ballack.

Një zbërthim të plotë përjetoi në Shtutgart Shalke. Tre gola të sulmuesit të kombëtares Kuranyi bënë që Shalke të mbetej prapa Bajernit dhe që Shtutgarti t'i afrohej në tashmë dy pikë. Pra beteja për dy vendet e sigurta në Champions League vazhdon.

Mbresëlënëse edhe fitorja e djeshme 3:0 e Nyrembergut ndaj Hanzës së Rostokut. Tri pikët i japin Nyrembergut më shumë frymëmarrje në përpjekjet për të mbetur në kategorinë e parë. Ai ka lënë tani pas vetes Maincin dhe Borusia Mënhengladbahun. Fitore arriti edhe Bohumi i rrezikuar për rënie nga kategoria. Ai fitoi ndaj Hanoverit 1:0. Pjekuria i dha Verderit tri pikë në Hamburg. Kroati Klasnic shënoi për Bremenin golin e fitores 2:1. Fitore jashtë fushave të tyre korrën edhe Borusia e Dortmundit dhe Kaizerslauterni, respektivisht në Leverkuzen e Bilefeld.

Renditja: 59 pikë Bajerni, 56 Shalke, 54 Shtutgarti / 50 Bremeni, 47 Berlini - në fund: Nyrembergu 31 pikë, Mainci 30, Mënhengladbahu 29 / Bohumi tashmë me 26 pikë, Rostoku 23 dhe i fundit Frajburgu me 17 pikë.

Bajerni pret nesër në ndeshjen e kthimit për Champions League Chelsea-n e Londrës, trajneri i të cilit Jose Mourinho ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në stadium.