1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll

5 Shtator 2006

Kampionia e Botës, Italia ishte surpriza e ditës së parë të kualifikimit për Kampionatin Evropian. Kombëtarja gjermane fiton me mundim në ndeshjen me Irlandën

Ndeshja Gjermani-Irland
Ndeshja Gjermani-IrlandFotografi: AP

Në ndeshjen ndaj Lituanisë, që në listën botërore zë vendin e 65-të, dhe pikërisht në Napoli, Italia mezi arriti të nxirrte një rezultat të turpshëm prej 1:1 duke u gjendur nën presion edhe më të madh para ripërsëritjes së finales së Botërorit, kundër Francës, që do të zhvillohet të mërkurën.

Më e qetë është nisur sot për të luajtur kundër ekipit të San Marinos, kombëtarja Gjermane. Në ndeshjen ndaj Irlandës ajo fitoi me mundim, por gjithsesi tre pikët e nevojshme që të çojnë përpara. Në stadiumin e shitur tërësisht në Shtutgart para 53 198 spektatorëve, Lukas Podolski nga Bayern München arriti të shënonte në minutën e 57. golin e vetëm.

Golashënuesi, Lukas Podolski,
"E dija që dikur do ta bëja një gol, nuk kishte asnjë problem. Sa i përket ekipit mund të them, se ne e dimë se ç'jemi në gjendje të bëjmë dhe me pak më shumë fat, mund të kishim fituar edhe më thellë." - kështu pra Lukas Podolski, ndërsa trajneri i ri i kombëtares gjermane, Joahim Lëv: "Në përgjithësi mund të them se fitorja ishte e merituar, sepse kishim shumë shanse. Tani jemi të kënaqur. Ka raste që nga një lindje e vështirë del një fëmijë e i bukur dhe kështu edhe ne jemi të kënaqur që i fituam tre pikët."


Trajneri i kombëtares irlandeze, Steve Staunton, mbas ndeshjes, megjithate ishte i kenaqur me angazhimin e ekipit te tij:

"Lojtarët luajtën shumë mirë. Ndeshja ishte plot pasion dhe jam i mendimit se ishim fatkeq që mbetëm pa gjë. Ne dëshmuam që mund të konkurrojmë. Nga lojtarët pres gjithmonë që të japin githçka në lojë, dhe e di që do të përmirësohemi edhe në sulm. Pra jam optimist." / keshtu pra Staunton.

Në grupin D Gjermania tani ndodhet në vendin e tretë, pas Sllovakisë dhe Çekisë, që ndaj ndeshjeve të tyre kundër Qipros dhe Uellsit, kanë shënuar më shumë gola.
Me nje pikë të vyeshme nga Minsku u kthyen në vendin e tyre edhe futbollistët e kombëtares shqiptare. Që në sekondën e 15/të, bjellorusi Kalaçev mundi të shënonte golin e parë në fushë të tij. As pesë minuta më vonë, Ervin Skela do të barazonte me një penallti, të dhënë pas një fauli të shkaktuar ndaj Altin Lalös. Në minutën e 25/të Bjellorusia kaloi përsëri në avantazh, me një gol të shënuar nga Romashenko, duke e lënë kështu në tension skuadrën e trajnerit kroat Oto Bariç, derisa në minutën e 85/të Besnik Hasi arriti të shënonte golin barazues. Mbas këtij rezultati 2:2, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë të tabelës G mbas Holandës dhe Bjellorusisë. Të mërkuën Shqipëria do të presë në Tiranë Rumaninë, e cila gjithashtu barazoi në Bukuresht ndaj Bullgarisë me rezultatin 2:2.

'''
Dhe lajme të tjera nga bota e sportit:

Tenis, Benjamin Beker i dha fund karrierës së yllit të madh të tenisit, Andre Agassi. Sportisti gjerman ishte i pari që u kualifikua për tetëfinale në kampionatin US Open. Beker fitoi të djelën në Nju Jork me rezultatet 7:5, 6:7,6:4, 7:5 ndaj të shoqit të Shtefi Grafit, 36 vjeçarit Agassi.

Kombëtarja Gjermane në Eishockey e ka vazhduar serialin e sukseshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Uve Krupp dhe e hapi maratonën e përgatitjeve për botërorin e 2007es në Moskë me një fitore. Në pistëne tyre, gjermanët fituan të djelën në Manhajm, kundër ish/kambionit të botës, Sllovakisë me rezultatin 3:1.

Mit një spektakël impresionues basketbollistët spanjollë i dhanë fund botërorit në Japoni dhe hipën për herë të parë në histori në piedestalin e kampionit. Me një rezultat të thellë 70:47 ndaj Greqisë iberianët fituan kështu medaljen e tyre të parë të artë në një turne kaq të madh, duke bërë njëkohësisht një reklamë mjaft të mirë për kampionatin evropian që zhvillohet vitin e ardhshëm.