1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

091209 JRB Nationalteams

25 Dhjetor 2009

Ekipet kombëtare gjermane të futbollit për meshkuj dhe femra lënë pas një vit të suksesshëm sportiv 2009. Megjithatë bilanci u zbeh nga një dramë personale.

Nga ndeshja FC Augsburg - Karlsruher SC
Nga ndeshja FC Augsburg - Karlsruher SCFotografi: picture-alliance/ dpa

Për ekipin kombëtar gjerman të futbollit viti mbaroi me një tragjedi. Robert Enke, i cili kishte shanse të mira, për të qenë portieri i kampionatit botëror 2010, bëri më 10 nëntor vetëvrasje.

"Kemi ngelur pa mend, pa gojë dhe disi pa shpresë," - Ky ishte reagimi i menaxherit të ekipit Oliver Bierhoff. Enke vuante prej vitesh prej depresionesh, të cilat kishte mundur t'i fshihte para publikut.

Kapiteni 32-vjeçar i ekipit Hannover 96 gëzonte respekt të veçantë jo vetëm në futbollin gjermanFotografi: DPA

Në futbollin gjerman dhe atë evropian kapiteni 32-vjeçar i ekipit Hannover 96 gëzonte respekt të veçantë. Presidenti i shoqatës gjemane të futbollit, Theo Zwanziger: "Një sportist i ri i mrekullueshëm, një futbollist i suksesshëm, me reputacion në shumë klube. Një i ri me karakter të mrekullueshëm, karizmatik, me sjellje modeste. Përse të ndodhet në këtë situatë pa rrugëdalje?"

Rëndësinë më të madhe për ekipin në vitin 2009 e pati kualifikimi për në Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut. Data kryesore qe 10 tetori në Moskë, ndeshja për kualifikim kundër konkurrentes në grup, Rusisë. Klose shënon gol për Gjermaninë.

Saltoja e Kloses pas golit në ndeshjen me Rusinë(10.10.2009)Fotografi: picture-alliance/ dpa

Gjermania fitoi 1:0. Fitues i ndeshjes krahas Kloses ishte edhe portieri Rene Adler: "Fakti që për mua personalisht ndeshja rrodhi aq mirë, më bën shumë të lumtur. Nuk di se çfarë të them. Mendoj se ka qenë ndeshja më emocionuese e karrierës sime."

Trajneri i kombëtares Joachim Lëw ka gjetur përzierjen e duhur të lojtarëve, të vjetër dhe të rinj. "Jam shumë krenar për ekipin, edhe për lojtarët më të vjetër, të cilët kanë çarë përpara me përvojën e tyre duke transmetuar guxim. Dhe jam krenar për lojtarët e rinj, të cilët së fundi kanë luajtur edhe në Kampionatin Evropian. Ne kemi integruar disa lojtarë. Në përgjithësi një skuadër shumë e re."

Vit i suksesshëm edhe për ekipin e femrave

Një vit të suksesshëm ka përjetuar edhe ekipi i futbollit për femra. Në Kampionatin Evropian në Finlandë kundështari në finale ishte Anglia.

Birgit Prinz shfrytëzon rastin e parë dhe qëllon topin në portë, 1:0 për Gjermaninë. "Kësaj radhe golat i bëmë në momentin e duhur. Anglia kishte herë pas here shanse por ne insistonim gjithnjë. Dhe kjo e lodh një skuadër jashtë mase" - tha Birgit Prinz, e cila ndihmoi me dy gola në fitoren kundër anglezeve.

Birgit PrinzFotografi: AP

Në fund rezultati ishte 6:2, Gjermania u bë për të shtatën herë kampione Evrope. Recetën e suksesit lojtarja mesfushore Simone Laudehr e shpjegon kështu: "Ekipi gjerman është njëri nga ekipet më të forta. Ne përbëhemi prej shumë lojtaresh të reja, të talentuara, të cilat bashkohen dhe kombinohen me të vjetrat me përvojë. Ku do të na çojë kjo? Shpresoj se në Kampionatin Botëror 2011, që ta fitojmë atë dhe të marrin ndoshta edhe një herë medalje ari në lojërat olimpike.""

Autor: Arnulf Boettcher/Angjelina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani