140211 Börse Fusion New York Frankfurt
15 Shkurt 2011
Si shumë lajme në Bursën e Nju Jorkut, edhe ky lajm për tregtarët erdhi krejt papritur. Wall Street negocion për t'u bashkuar me Bursën Gjermane. Këtij tregtari i kujtohet atmosfera të mërkurën e kaluar:
"Fillimisht unë mendova se kjo është sikur koncerni Budweiser të blihet nga Ambev. Edhe Wall Street është një ikonë amerikane, e cila blihet nga evropianët. Në vështrim të parë të bën pështypje- por kohët ndryshojnë."
Wall Street përmirëson pozicionin ndërkombëtar me fuzionimin
Dhe tregtarët e dinë shumë mirë: është biznesi me derivate që është veçanërisht i leverdisshëm. Dhe në këtë drejtim, Wall Street-i përmirëson përmes fuzionimit pozicionin ndërkombëtar. Ai që tregton derivate, tregton produkte financiare të tërthorta, si p.sh. baste për zhvillimin e çmimeve të lëndëve të para. Bursa Gjermane, Deutsche Börse, ka në sajë të bijës së saj Eurex në këtë fushë përparësi.
Që aksionerët e Bursës së Frankfurtit do të zotërojnë me 60% shumicën e aksioneve të superbursës së re, për tregtarin Arthur Cashin nuk është sinjal i një pushteti më të madh:
"Aksionerët e Bursës Gjermane do të kontrollojnë shumicën e aksioneve të bursës së kombinuar - por po të vëresh menaxhimin, atëherë kryetar i Kryesisë së Bursës së re do të jetë presidenti ynë, Duncan Niederauer, pra fuqia bashkëvendosëse e bursës së Nju Jorkut do të jetë e madhe."
Arthur Cashin është veteran i Wall Street-it me mbi 30 vjet përvojë. Sot ai punon për UBS Financial Services - ende në biznes. Ai sheh shumë gjëra pozitive në fuzionim:
"Presioni nga konkurrenca e përbotshme luan natyrisht rol. Londra dhe bursa kanadeze do të fuzionohen, edhe ne duhet të mbetemi të aftë për të konkurruar- kjo do t'i spostojë mendimet shoviniste."
Edhe më tej tregti në parkete?
Mendime shoviniste ai quan shakatë, të cilat tregtarët i bëjnë prej ditësh me zë të ulët dhe jo në mikrofona: Blue Room, njëra nga dhomat e tregtisë do të quhet në të ardhmen Hofbräuhaus. Dhe në mensë ka mundësi që të ofrohen vetëm shnicela, në vend të sanduiçit Pastrami, të preferuar këtu. Tregtarit Jason Weisberg kjo nuk i duket gjë e keqe:
"Natyrisht që njerëzit do të bëjnë shaka, nëse do t'u duhet të mësojnë tani gjermanisht - por shifrat - ato janë në çdo gjuhë të njëjta - dhe ja që në bursat e kësaj bote gjithçka ka të bëjë me shifrat."
Disa nga tregtarët janë të merakosur për Floor, për dyshemenë- sepse ata e dinë se ç'pamje ka bursa në Frankfurt- shumë elektronikë dhe shumë pak tregti në parket. Por largimi nga tregtia në parket do të vinte gjithsesi, edhe pa fuzionimin. Megjithatë, në Nju Jork bëhet tregti që prej 200 vjetësh dhe koncepti "Wall Street" konsiderohet prej kohësh si sinonim për industrinë botërore të financave. Kjo "markë" mund t'i sigurojë dyshemesë edhe në të ardhmen justifikimin e ekzistencës, shpresojnë disa tregtarë.
Autor: Miram Braun/Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica