1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040511 Merkel Bin Laden

4 Maj 2011

Kancelarja gjermane Angela Merkel u vu në shënjestër të kritikave për shkak të një deklarate, ku shprehu gëzim për vdekjen e udhëheqësit të grupit terrorist Al Kaida.

Kancelarja Angela Merkel jep deklaratë për shtyp pas vrasjes së Osama Bin Ladenit.
Kancelarja Angela Merkel jep deklaratë për shtyp pas vrasjes së Osama Bin Ladenit.Fotografi: dapd

"Jam e gëzuar që u arrit të vritet Bin Laden …“ - Kjo fjali e kancelares ngjalli shumë kritika, jo vetëm në radhët e opozitës por edhe tek kishat e madje edhe në mesin e kristiandemokratëve.

Kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve gjermanë në Bundestag, Renate Künast, u shpreh kështu për deklaratën e Angela Merkelit:

„Në një shtet ligjor një kancelare si përfaqësuese e një vendi nuk mund të shprehë kënaqësi për një vrasje, edhe kur bëhet fjalë për një kriminel. Kjo thjesht nuk është me vend.“

Politikania e gjelbër gjermane Renate Künast.Fotografi: dapd

Opozita: kjo nuk është e mundur në një shtet ligjor

Politikania tjetër e gjelbër Katrin Göring-Eckhardt, e cila si drejtuese e Sinodës, mban edhe postin më të lartë drejtues të Kishës Protestante në Gjermani, citohet me këto fjalë nga gazeta Berliner Zeitung: „Si e krishterë mund të them vetëm se nuk ka asnjë arsye për t'u gëzuar, kur dikush vritet me qëllim.“

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, socialdemokrati dhe njohësi i SHBA-së Gernot Erler, tha:

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Gernot Erler.Fotografi: dpa

„Mund të shprehësh mirëkuptim për gëzimin e viktimave dhe të vendit të viktimave, Amerikën. Por të shprehësh vetë gëzim, këtë nuk e kuptoj dot."

Kritikë edhe nga partia e saj CDU

Mirëkuptimi mungon edhe tek disa në radhët e kristiandemokratëve të Merkelit. Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar Ingrid Fischbach tha për Berliner Zeitung: "Nga këndvështrimi i krishterë nuk është e përshtatshme të shprehësh gëzim për vrasjen me qëllim të një njeriu dhe për vdekjen e tij". Kristiandemokrati Thomas Dörflinger, ashtu si Fischbach anëtar i komitetit qendror të katolikëve gjermanë, plotësoi se "ndjen lehtësim që Ossama Bin Laden nuk mund të shkaktojë më fatkeqësi, por jo patjetër gëzim".

Mjaft qartë u distancua nga kancelarja Merkel ipeshkvi katolik i ushtrisë Franz-Josef Overbeck. Për grupin e gazetave WAZ në Essen ai u shpreh:

Ipeshkvi Franz-Josef Overbeck.Fotografi: picture alliance/dpa

„Vdekja e çdo njeriu nuk është kurrë arsye për gëzim, aq më pak kur e themi këtë si të krishterë. Pëkundrazi për çdo njeri vlen: një vdekje është gjithnjë një fund, ku i lutemi Zotit për falje dhe mëshirë.“

Edhe nga Kisha Protestante, së cilës i përket kancelarja Merkel, pati kritikë. Kryetari i Kishës Protestante në Gjermani, Nikolaus Schneider, u shpreh për shërbimin evangjelist të shtypit, se vdekja e një njeriu nuk mund të lidhet me ndjenjën e gëzimit.

Meqenëse partia Kristiandemokrate (CDU) e Merkelit merr veçanërisht shumë vota nga të krishterët në zgjedhje, kjo kritikë nga Kishat nuk është e parrezikshme për kancelaren.

Autor: Peter Stützle / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW