1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G-20 Washington

16 Prill 2011

Test apo kritikë? Ministrat e financave të G20 ranë dakord në Uashington të kontrollojnë më me kujdes shtatë vende, të cilët bëhen përgjegjës për disbalancat në ekonominë botërore.

Takimi i ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G20 dhe G7 në Uashington. 15.04.2011
Takimi i ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G20 dhe G7 në Uashington. 15.04.2011Fotografi: DW-TV

Vendet e industrializuara dhe në zhvillim, të bashkuara në grupin G20, synojnë të ndërmarrin masa serioze për reduktimin e disbalancave globale mes fuqive ekonomike. Këto disbalanca konsiderohen si një nga shkaqet e krizës ekonomike dhe financiare mbarëbotërore. Nën kryesinë e ministres franceze të Financave Christine Lagarde, vendet e G20 ranë dakord për një procedurë, mbi bazën e së cilës vendet të veçanta do të merren në shqyrtim dhe do t'u jepen rekomandime. Kjo u bë e ditur nga ministrja franceze të premten (15.4.2011) në Uashington, pas një takimi të ministrave të financave dhe shefave të bankave qendrore të fuqive më të rëndësishme ekonomike.

Shefi i Bankës Federale Gjermane Axel Weber, në takimin e G20 në Uashington.Fotografi: DW-TV

Edhe Gjermania në bankën e provës?

Se cilat vende do të merren në shqyrtim u la fillimisht e hapur. Por pritet që edhe Gjermania të vihet në bankën e provës për shkak të tepricave të saj tregtare të larta. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha në kuadër të takimit se nuk do të habitej nëse Gjermania do të bënte pjesë në mesin e shtatë vendeve që do të merren në shqyrtim. Por nëse është kështu Gjermania ka argumenta të mirë mbrojtës, tha ministri Schäuble. Tepricat në bilancin tregtar të Gjermanisë i dedikohen aftësisë së saj konkurruese dhe nuk janë pasojë e zhvelrësimit të euros. Veç kësaj, nëse merret në konsideratë e gjithë eurozona, atehërë mund të thuhet se Gjermania me tepricat e saj ka kontribuar në një bilanc tregtar të barazpeshuar në bashkimin monentar.

Të ruhet dinamika e G20

Ndër kandidatët e tjerë bëjnë pjesë shtetet e përfolur vazhdimisht: Kina, Japonia dhe SHBA. Në shkurt G20 ra dakord fillimisht për indikatorët, të cilët do të shërbenin për matjen e disbalancave. Këtu bëjnë pjesë krahas deficiteve apo tepricave në bilancin tregtar dhe të pagesave, edhe borxhet shtetërore, deficitet publike si dhe kutoa e kursimit dhe borxhit privat të një vendi. Kështu në të ardhmen bilancet do të vëzhgohen dhe do të merren masa korrigjuese, kur disbalancat në sektorët e tregtisë së jashtme apo borxheve shtetërore rriten përtej kufijve të përcaktuar. Ministrja franceze e Financave Lagarde tha se marrëveshja e arritur mes vendeve të G20 është një sukses i rëndësishëm. Kështu do të ruhet dinamika e rimëkëmjes së ekonomisë dhe për shmangien e krizave të ardhshme financiare.

Kriza nuk është kapërcyer ende

Në sektorin bankar në Gjermani sipas ministrit të Financave Wolfgang Schäuble nuk ka më rreziqe ekzistenciale. "Në Gjermani nuk kemi rreziqe, që nuk mund të kontrollohen. Ne jemi në gjendje të shmangim rreziqet, që kërcënojnë sistemin", tha Schäuble. Nëse nga testi i ri i stresit për bankat evropiane do të rezultonte nevojë për kapital shtesë për bankat gjermane, ajo mund të mbulohet nga pronarët.

Edhe guvernatori në largim i Bankës Federale Gjermane Axel Weber, theksoi se me ligjin e ri për restrukturimin e bankave, në fuqi që prej 1 janarit, Gjermania ka një instrument për të minimizuar pasojat e falimentimit të një bankë në gjithë sistemin bankar. Por Weber rikujtoi se kriza financiare me pasojat e saj ende nuk është kapërcyer plotësisht: "Institutet e kredisë janë ende të ndjeshëm ndaj tronditjeve. Jemi në vitin e katërt të krizës. Nuk jemi ende në vitin e parë pas krizës", theksoi guvernatori Axel Weber.

Autor: Rolf Wenkel / Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë