Koment: G20 - Mbijetesë në minutën e fundit
8 Korrik 2017Punët mund të kishin shkuar edhe më keq në samitin e G20-s. E nuk është fjala për trazirat brutale, pasi aty nuk kishte si të bëhej më keq. Dhunë, shkatërrim, plaçkitje në një dimension, të panjohur më parë në Gjermani.
Më keq mund të kishin shkuar punët edhe në rezultatet përfundimtare të takimit të 19 shteteve plus Bashkimin Europian. Thjesht përbërja e këtij raundi do t'i kishte nxjerrë djersët, kujtdo që ka synimin të dalë me një deklaratë përfundimtare: Të ulur në një tavolinë shihje demokratë të vërtetë me autokratë të pastër dhe shkelës të shumëfishtë të të drejtave të njeriut, disa të panjollosur, të tjerë me procedura gjyqësore për korrupsion – dhe mes tyre edhe dikush që e ngrinte më lart tensionin me refrenin e pafshehur e masiv „America First", presidenti Donald Trump.
Ajo që u arrit…
Në këto rrethana mund të jesh i kënaqur me rezultatin e samitit: Në mënyrë të habitshme të gjithë ranë dakord që të refuzojnë proteksionizmin. Kush mendon, se po trajtohet në mënyrë të padrejtë mund t'i drejtohet Organizatës Botërore të Tregtisë - ky është në fund të fundit pranim i multilateralizmit, si e kishtë dëshiruar kancelarja Merkel. Vlerësime erdhën si nga ana e presidentit francez, ashtu edhe atij rus.
Ndërsa tek mbrojtja e klimës duhet një nuhatës shumë i hollë i deklaratave përfundimtare politike që të lexojë ndonjë pasazh suksesi. SHBA largohet nga Marrëveshja e Parisit, kjo është e shënuar e zezë mbi të bardhë në deklaratë. Hera e parë në historinë e G20-s që shënohet mungesa e konsesusit. Megjithatë të 19 pjesëmarrësit e tjerë të G20-s i mbeten besnik kësaj marrëveshje- pra siç u tha, mund të kishte ndodhur edhe më keq.
Ajo që dështoi
Por në kohë të tilla kjo nuk mjafton. Idetë e mira si rritja e pjesëmarrjes së gruas në shoqëri, një marrëveshje e re me Afrikën, iniciativat digjitale për arsimin janë të pamjaftueshme. G20 nuk ia doli t'i japë globalizimit një fytyrë të re. Në të gjithë botën njerëzit besojnë, se ekonomia botërore nuk ka në fokus të mirën e të gjithëve, por vetëm të disave. Angela Merkel tha në përfundim të samitit, se aksionet e shoqërisë civile para samitit dhe demonstratat paqësore kanë dhënë kontribut dhe kanë ndikuar në samit. Por ky kontribut nuk vërehet konkretisht. G20 nuk u zhvillua më tej, nuk është afruar me njerëzit. Para samitit, Merkel u akuzua, se ajo kërkon në këtë vit zgjedhor të prodhojë imazhet simbolike si një negociuese e suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Imazhet simbolike që erdhën nga Hamburgu janë ndryshe.