151011 G20 Treffen Abschluss
16 Tetor 2011Vendet e euros duan të paraqesin deri në samitin e BE-së dhe të euros në fund të javës së ardhshme një paketë gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës së huave, tha ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble, të shtunën (15.10.) në Paris pas një takimi të ministrave të financave të G20-ës dhe të shefave të bankave. Më parë vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe në industrializim e sipër e patën rritur trysninë mbi evropianët.
Mbi evropianët rëndon një trysni gjigante pritjesh
20 ekonomitë më të mëdha të botës bënë të qartë në Paris se kërkojnë një zgjidhje të shpejtë. Ministri britanik i Financave, George Osborne, e krahasoi situatën madje me një tërmet mbarëbotëror. Kriza e euros është epiqendra e problemeve ekonomike aktuale në botë, tha ai. Evropianët, të cilët duhet të përballojnë rrugën e daljes nga kriza, janë para së gjithash Gjermania dhe Franca. Kjo u bë e qartë vazhdimisht gjatë samitit në Paris: "Kur them ne, atëherë e kam fjalën para së gjithash për ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble", tha më pas edhe mikpritësi, ministri francez i Financave, François Baroin, gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp. Wolfgang Schäuble nga ana tjetër beson se e ka bindur botën për angazhimin e evropianëve. "Besoj se jemi në rrugë të mbarë. Ua kemi shpjeguar në hollësi këtë kolegëve tanë, por është e rëndësishme, që kjo përgjegjësi të pranohet hapur edhe në kuadër të G20-ës."
Schäuble prezanton konceptin e tij
Detyra më e rëndësishme, që duhet të kenë kryer deri në fund të javës së ardhshme është para së gjithash rikapitalizimi i bankave. Sektori duhet pajisur mjaftueshëm me mjete financiare, për të amortizuar crash-et e tjera. Ministri Schäuble la të kuptohej në Paris edhe se kapitalizimi i detyrueshëm është i mundur, në rast se bankat nuk e arrijnë dot financimin me forcat e tyre. Kjo i solli atij kritikë të madhe prej sektorit bankar gjerman. Pika e dytë: Çfarë roli luan fondi i shpëtimit i euros? Për këtë Schäuble: "Përveç rikapitalizimit të bankave ne do të merremi vesh edhe për masat e nevojshme për një shfrytëzim efektiv të instrumenteve të lehtësimeve të financimit, kështu që rrezikun e ngjitjes do ta luftojmë në mënyrë parandaluese."
Një zgjerim të forcës goditëse financiare për ombrellën e shpëtimit të euros EFSF me ndihmën e një efekti levë nëpërmjet Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Schäuble e përjashtoi. Sipas tij ky propozim nuk ka qenë në tryezë.
Reformim i sektorit financiar
Në rrafsh ndërkombëtar vendet në industrializim e sipër ofruan rritjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të ndihmuar Evropën. Mirëpo fuqitë ekonomike kryesore nuk u morën dot vesh për këtë.
Nga njëra anë vende në industrializim e sipër si Brazili, ose India. Me para shtesë ato duan të shmangin përfshirjen e ekonomive të tyre prej krizës, sepse sikur tregjet të investojnë në mënyrë të shtuar në vendet e tyre, kjo mbiçmon monedhat e tyre dhe i bën eksportet më të vështira. Veç kësaj me mjetet e tyre ato do të kishin më shumë ndikim në FMN. Prandaj ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner, e refuzoi këtë propozim në Paris. Këtu ai pajtohet me kolegun e vet gjerman.
Edhe vlera e shkurtimit të huave të Greqisë do të vazhdojë të diskutohet në ditët, që vijnë. Në fund të javës së ardhshme shefat e qeverive të BE-së do të paraqesin pastaj propozime për zgjidhje. Në diskutim është edhe ndryshimi i marrëveshjeve të BE-së, për t'i forcuar strukturat në drejtim të një bashkimi stabiliteti.
Autor: Evi Seibert/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica