Staatsschulden
15 Nëntor 2010
Me gjasa janë të paktë ata që e njohin emrin e Fritz Schäffer-it. Ai ishte në 1945-ën kryeministri i parë bavarez pas Luftës së Dytë Botërore. Në 1949-ën ish-kancelari Konrad Adenauer e mori si ministër financash në kabinetin e tij. Politikani bavarez i financave arriti që në vitet e mrekullisë ekonomike të realizonte sufiçite. Nga 1953 deri në 1957 ai mblodhi rreth tetë miliardë marka, vlera e sotme rreth 35 miliardë euro.
Sot bota e jashtme bën fjalë sërish për një mrekulli ekonomike gjermane, me dallimin e vogël, që arkat publike në Gjermani kanë rreth 1.700 miliardë euro borxhe. Çfarë ka shkuar keq? E parë historikisht paratë atëherë u përdorën për ngritjen e ushtrisë gjermane; por le të qëndrojmë te rasti ideal i një buxheti pa hua, i cili i mbulon shpenzimet rrjedhëse prej të ardhura rrjedhëse nga taksat.
Sipas mendimit të përgjithshëm ekonomik edhe ky shtet lejohet të marrë hua. Kjo ka kuptim për sa kohë ai financon me këtë investime, për shembull në infrastrukturë apo arsim, sepse nga këto investime ai nxjerr një fitim: Një infrastrukturë e mirë e bën një vend ekonomik më tërheqës, nxit investimet, sjell në plan afatgjatë më shumë të ardhura nga taksat. Një sistem i mirë arsimor bën të mundur vende pune për njerëzit të paguara më mirë, gjë që do të thotë edhe të ardhura më të mira nga taksat. E parë në këtë prizëm thënia e pëlqyer e politikanëve, se hyrja në hua është zhvendosje e barrës mbi brezat e ardhshëm, nuk ka kurrfarë kuptimi, sepse edhe brezat e ardhshëm përfitojnë drejtpërdrejt prej investimeve të shtetit; dhe trashëgojnë huatë me interesa të ulëta, por të sigurta të shtetit prej prindërve të tyre.
Mund të shkohet edhe një hap më tej dhe të kërkohet, që në rrethana të caktuara shteti të financojë nëpërmjet kredive jo vetëm shpenzime intensive, po edhe konsumuese. Për shembull në një recesion, për të kompensuar rënien e kërkesës private. Natyrisht, parakusht për këtë është që në këto hua të shlyhen menjëherë fazë rritjeje, kur të ardhurat nga taksat janë sërish të shumta. Por këtë parim në Gjermani nuk e ka respektuar më asnjë politikan që prej 1957-ës.
Arsyeja për këtë janë edhe gabime të integruara në sistem. Kushtetura lejon marrje të shtuar të huave vetëm "për shmangien e prishjes së baraspeshës mbarëekonomike". Por duke qenë se asnjëherë nuk sundojnë njëkohësisht punësim i plotë, baraspeshë në ekonominë me jashtë dhe qëndrueshmëri çmimesh, baraspesha mbarëekonomike nuk arrihet kurrë - një ftesë për hyrje të pakufizuar në hua.
Veç kësaj, që kur lindi pyetja se si të financohet bashkimi gjerman, politikanët financiarë kanë zhvilluar një fantazi të çuditshme për sa i takon zbulimit të buxheteve të fshehura. Meqenëse këta tingëllojnë keq, në rrafsh federal është vendosur termi "asete të veçanta"; megjithëse emërtimi "hua të veçanta" do të qe me siguri më i qëlluar. Ato shërbejnë për financimin e detyrave të veçanta të federatës, për shembull për nxitjen e firmave të mesme ose të familjes, të zonave të ndotura ose si së fundi për shpëtimin e bankave dhe financimin e paketave koniunkturore kundër krizës. Të gjitha kanë një të përbashkët: i shmangen kontrollin parlamentar dhe nuk shfaqen gjatë llogaritjes së huave të reja.
Por këto gabime në sistem do të marrin së afërmi fund. Nga 2011 hyn në fuqi freni i huave, i sanksionuar në kushtetutë. Ai parashikon, që federata nga 2016 në kohë normale lejohet të marrë vetëm kredi të reja prej 0,35 për qind të produktit të brendshëm bruto në vit. Aktualisht këto janë gati nëntë miliardë euro. Për të arritur këtë synim, qeveria duhet të ulë vazhdimisht huatë e reja nga 2011. Vini re: vetëm huatë e reja. Se ç'ndodh me malin e 1.700 miliardë eurove, që është mbledhur në 50 vitet e fundit, këtë s'e di askush. Të paktën, do të ishte mirë sikur ai të mos rritej.
Autor: Rolf Wenkel
Redaktoi: Aida Cama