1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gabim teknik në një pikë nyje? Rrëzim masiv i faqeve të internetit në Izrael

8 Nëntor 2011

Një rrëzim masiv të faqeve të internetit të ministrive dhe autoriteteve të një vendi nuk ndodh përditë. Një e tillë ndodhi tani në Izrael. Bëhej fjalë këtu për një sulm piratësh interneti apo për një difekt teknik?

A jane hakerat pas sulmit në Izrael?
A jane hakerat pas sulmit në Izrael?Fotografi: Fotolia/alphaspirit

Pirati i internetit "Anonymous" u prezantua në fundjavë si hakmarrës i njerëzve pa të drejta në Gazë. Në platformën e internetit Youtube, "Anonymous" lajmëroi se do të reagonte ndaj sulmit më të fundit ndaj flotës së solidaritetit me Gazën. Të premten, marina izraelite ndaloi para bregdetit të Gazës dy anije me 27 aktivistë të Gazës në bord. Pas kësaj, zëri anonim i kompjuterit të piratëve të internetit kërcënoi:

"Po të bllokoni edhe më tej anije me mallra humanitarë për Gazën ose po të përsëritni ngjarjet e tmerrshme të 31 majit 2010 kundër flotës së lirisë së Gazës, atëherë nuk na lini alternativë tjetër, veçse të kundërpërgjigjemi."

Në maj 2010, ushtria izraelite sulmoi një flotë shumë më të madhe solidariteti me Gazën dhe vrau nëntë aktivistë turq.

Bllokada shihet si ilegale

"Ne nuk harrojmë, ne nuk falim", deklaruan tani piratët e internetit, të cilët duan drejtësi për njerëzit në Gaza. Me të vërtetë, të dielën u rrëzuan faqet e internetit të një sërë ministrive izraelite dhe të institucioneve të tjera. Ndër të prekurit bëjnë pjesë ushtria izraelite, shërbimi i fshehtë izraelit për botën e jashtme Mossad, shërbimi i fshehtë i brendshëm Shin Bet, ministria e Financave dhe të tjerë. Rrjetet e brendshme të kompjuterave të këtyre institucioneve, sipas informacioneve të gazetës izraelite "Jedioth Achronoth" nuk ishin të prekura.

Piratët e kompjuterit apo hakerët si dhe aktivistët e anijeve e konsiderojnë bllokadën detare kundër Rripit të Gazës si ilegale. Marina izraelite i ndaloi të dyja anijet - një anije kanadeze dhe një anije irlandeze- 45 milje detare para bregdetit të Gazës, në ujëra ndërkombëtare. Pas kësaj, ushtarët i tërhoqën anijet në portin izraelit, Aschdod. Aktivistët, sipas të dhënave të tyre, donin të dërgonin medikamente në Gazë. Por sipas gazetës izraelite "Haaretz", autoritetet izraelite nuk gjetën mallra ndihme mjekësore në anije. Aktivistët i arrestuan dhe një pjesë të tyre i kthyen mbrapsht me avionë. Ata vinin nga Kanadaja, nga SHBA, Australia, Irlanda, Greqia dhe Izraeli. Në shenjë solidariteti me aktivistët e anijeve, piratët anonimë të internetit argumentojnë në videon e tyre në youtube sulmin ndaj sistemeve të kompjuterit të institucioneve izraelite:

"Ky është një rast i pastër piraterie në det të hapur. Veç kësaj: rezoluta 3005 e OKB-së konstaton se të gjitha burimet, midis të tjerave edhe deti dhe thesaret natyrore të tokës janë nën kontrollin e banorëve të Gazës. Aksionet e tyre janë ilegale."

Nëse ekziston me të vërtetë një lidhje midis kërcënimeve anonime të hakerëve dhe rrëzimit të faqeve të internetit, nuk mund të thuhet. Punonjës të ministrisë izraelite të Financave thanë se pati ndodhur një gabim teknik në një pikë nyje të sistemeve shtetërore kompjuterike. Pohimet se ndodhi një sulm i piratëve të internetit janë pa baza. Megjithatë, një rrëzim i tillë masiv i faqeve të internetit të institucioneve ndodh jashtëzakonisht rrallë.

Autor: Sebastian Engelbrecht/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti