1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Garë pikë më pikë mes Sarkozisë dhe Rojalit në Francë

22 Prill 2007

Në garën për postin presidencial në Francë sipas të dhënave të medieve belge dhe atyre zvicerane po konturohet një duel mes kandidatit konservator Nikola Sarkozi dhe socialistes Segolene Rojal. Në Francë janë të ndaluara publikimet e sondazheve përpara orës 20:00 kur edhe mbyllen qendrat e votimit në qytetet e mëdha, ndërsa në provinca votimi është mbyllur në orën 18:00.

Fotografi: AP

Në këto zgjedhje në Francë ka pasur një pjesëmarrje masive që mund të konsiderohet si historike: deri pasdite vonë kanë votuar rreth 74% e elektoratit. Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk arrin të marrë shumicën e votave, atëherë vendimi për pasardhësin e presidentit aktual Zhak Shirak do të merret në raundin e balotazhit më 6 maj. Kësisoj pritet një garë interesante pikë më pikë mes negolistit Nikola Sarkozi dhe socialistes Segolene Rojal. Sipas sondazheve përpara fundjavës kandidati liberal i qendrës Francois Bayrou renditet i katërti pas ekstremistit të djathtë Zhan Mari Lë Pen. Këta janë katër kandidatët kryesorë nga 12 gjithsej. Vlen të theksohet se kësaj here elektorati francez ka qenë shumë i pavendosur, deri të premten nga anketimet rezulton se një në tre zgjedhës ka qenë i pavendosur, se kujt do t´ia jepte votën.