1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gati për zgjedhje të lira! Autoritetet maqedonase me angazhim maksimal para 5 Qershorit

26 Maj 2011

Autoritetet maqedonase marrin të gjitha masat për të ndaluar incidentet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Për realizimin e një votimi të rregullt, policia e Maqedonisë është trajnuar nga OSBE.

Pamje simbolike e zgjedhjeve në MaqedoniFotografi: DW

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka krijuar shtabin e posaçëm për të ndjekur nga afër zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas ministres Gordana Jankullovska, ky shtab do të jetë përgjegjës për përgatitjet dhe realizimin e të gjitha aktiviteteve të lidhura me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike . "Nuk guxojmë të lejojmë as një kërcënimtë së drejtës të votimit, apo uzurpimin e vullnetit të qytetarëve për t'i penguar ata që në ditën e votimit të shprehin lirshëm bindjen e tyre", thotë ministrja Gordana Jankullovska.

Policia në angazhim të plotë

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Shkup është në përfundim e sipër të trajnimit të policisë që ka të bëjë me qëndrimin e tyre gjatë zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që në Maqedoni pjesëtarët e policisë kanë një trajnim të veçantë për mënyrën e sjelljes gjatë fushatës zgjedhore edhe në ditën e zgjedhjeve.

Gordana Jankulovska (djathtas) me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bajram RexhepiFotografi: MIA

Në ditën e zgjedhjeve do të angazhohen rreth 7 mijë policë. Dikasteri i policisë do të bëjë çmos që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe demokratike, shprehet Jankullovska. “Dua të përcjell një mesazh të qartë, dhuna nuk do të tolerohet dhe nuk do të lejojmë që dikush ta pengojë shprehjen e lirë të qytetarit më 5 qershor. Nuk do t'i lëmë të flenë të qetë dhunuesit dhe nuk do të lejojmë të krijohet atmosferë frike për qytetarët."

Dënime për ata që ushtrojnë presion ndaj votuesve

Të gjithë pjesëtarëve të policisë që do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve u janë shpërndanë broshura, në të cilat në mënyrë strikte janë nënvizuar obligimet për sjelljen dhe intervenimin eventual të tyre në ditën e zgjedhjeve .

Kodi penal parasheh dënime të larta për shkelësit e procesit zgjedhor dhe të gjithë atyre që do të përfshihen në incidente gjatë zgjedhjeve . Sipas Ministrit të Drejtësisë Mihajllo Manevski, dënime prej 3 deri në 15 vjetë janë paraparë për të gjithë ata që shkaktojnë probleme, mbushje kutish, kërcënime dhe incidente tjera në ditën e zgjedhjeve më 5 qershor . “Nëse ndonjëri bën presion ndaj qytetarit se si të votojë apo do të pengojë votimin, mund të dënohet me tre vite burg”, ka thënë ministri Manevski. Në zgjedhjet e fundit parlamentare 75 persona fizik dhe 15 juridik janë dënuar për shkak se kanë cenuar të drejtën e qyetarit për votim ose kanë bërë manipulime në vendvotime.

Autor: Fatos Musliu/Shkup

Redaktoi: Lindita Arapi