1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gati projekt-buxheti në Shqipëri, opozita kundër

Arben Muka1 Dhjetor 2005

Për vitin 2006 pritet rritja e pagave dhe pensioneve nga 15 deri 25%. Por pa nisur ende diskutimi në parlament, opozita socialiste po e kritikon përmbajtjen e projekt-buxhetit

Fotografi: dpa

Që pas ardhjes në pushtet, Partia demokratike dhe aleatët e saj në qeverisje u përgatitën për provën e parë, miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Ky është miratuar nga kabineti i kryeministrit Berisha, dokumenti kryesor për vitin 2006 është në duart e deputetëve nga ku pritet që në dy javët në vazhdim të diskutohet në komisionet e përhershme parlamentare dhe më pas në seancë plenare. Nga kjo pritet dhe votimi tërësor i tij. Avokati kryesor i projektbuxhetit, Ministri i financave, Ridvan Bode e përshkruan atë si modelin e një qeverisjeje në dietë, me pak shpenzime nga ana administrative dhe efiçente në krijimin e të ardhurave dhe tatimeve, si edhe nga doganat dhe privatizimet. Nëse do të ketë realizim të të ardhurave për gjashtëmujorin e parë të 2006, atëherë do të bëhen korrektime në buxhet, shtesa në sektorë të ndryshëm, thotë ministri i financave. Bode thotë: "Për rritjen e qenësishme të pagave dhe pensioneve janë fonde të çliruara nga përmirësimet në adiministrimin e shpenzimeve operative si edhe zvogëlimin e dimensioneve të dikastereve qendrore dhe që reflektojnë jo vetëm pakësim nëpunësish, por në radhë të parë pakësim të shpenzimeve të tepërta të kryera nga administrata qendrore."

Për vitin 2006 sipas Ridvan Bodes pritet edhe rritja e pagave dhe pensioneve nga 15 deri 25%. Por pa nisur ende diskutimi në parlament, opozita po e kritikon përmbajtjen e projekt-buxhetit, duke e përshkruar atë si një shenjë e mosmbajtjes së premtimeve nga ana e qeverisë së djathtë. Shefi i opozitës, Edi Rama e quan atë ilegal, pasi sipas tij projekt-buxheti nuk është diskutuar nga grupet e interesit. Rama thotë: "është i tëri një histori spekulative shifrash ku nuk ka pothuajse asgjë të vërtetë. Buxheti për njësitë vendore nuk është rritur aspak. është bërë vetëm një kalkulim ndryshe një kombinim ndryshe i shifrave. Mbi të gjitha dëshiroj të theksoj, kjo nuk është qeveria e duarve të pastra, kjo është qeveria e duarve të paafta."

Kritikat ndaj projekt-buxhetit të vitit 2006 po bën edhe Lëvzja socialiste për integrim. Dritan Prifti deputet i kësaj partie, shprehet se projekt-buxheti është një lajm i keq për shqiptarët.