1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetat gjermane kanë në fokus vizitat e presidentit amerikan në Irak dhe Afganistan

EA15 Dhjetor 2008

Bëhet veçanërisht i dukshëm disproporcioni midis shpenzimeve dhe fitimit në politikën e jashtme të Bushit

Presidenti Xhorxh Bush në çastin kur u qëllua me këpucë gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki në Bagdad.Fotografi: AP

"Frankfurter Allgemeine" shprehet mbi sulmin me këpucë ndaj Xhorxh Dablju Bushit:


"Ka shumë mënyra për t'i treguar dikujt përbuzjen; dhe ato ndryshojnë me kohën dhe me modën. (...) Në ditë me më pak mirësjellje fluturojnë domate ose vezë të prishura (...). Në fenë myslimane jo e pastër konsiderohet qeni. Si të tillë e cilësoi gazetari televiziv irakian Muntaser al Saidi presidentin amerikan kur ky pati paraqitjen e vet të fundit në Bagdad. Dhe e qëlloi me dy këpucët e tij. Në këtë mënyrë ai i shprehu Xhorxh Dablju Bushit përbuzjen më të madhe, pasi këpucët lidhen me papastërtinë. Në xhami besimtari duhet të jetë i pastër nga brenda dhe nga jashtë, për këtë arsye hiqen këpucët dhe në dhomën e lutjes hyhet pa to. Në qoftë se në të ardhmen në Irak do të hidhen vetëm këpucë dhe jo granata, prej këtij akti përbuzjeje mund të nxirrej një fije shprese."


"Neue Osnabrücker Zeitung" e sheh në mënyrë kritike politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara:


"Ky është falënderimi në ndarje: Prej homologut të pasigurt afgan presidentit amerikan Xhorxh Bush i vihet një urdhër në gjoks dhe në kryqe kërkesa për miliarda të tjera si ndihma, prej një irakiani të trashë i hidhen këpucët kokës. Disproporcioni midis shpenzimeve dhe fitimit në politikën e jashtme të Bushit bëhet këtu veçanërisht i dukshëm. Dhe kontrasti me të atin: Edhe Bushi i vjetër bëri luftë kundër diktatorit gjakatar irakian Sadam Husein. Megjithatë ai pëlqehej aq shumë nga arabët, saqë në vitin 2001 shumë prej tyre shpresonin në fitoren e djalit të tij. I nisur me paradhënie lëvdatash, rrëzuar me viktima të jashtëzakonshme amerikane talibanët, thyer pushtetin e Sadamit; me këtë bilanc duhet t'ia dalësh njëherë të bëhesh aq i urryer sa ç'është Bushi në fund në vendet islamike."