Gazsjellësi i Detit Balltik - shumë politikë për një projekt komercial
9 Nëntor 2011
Energjia dhe poliika janë të ndërthurrura sot ngushtë me njëra tjetrën. Shpesh është e vështirë të kuptosh se cilat janë motivet që vendosin në rastin e njërit apo tjetrit investim: komerciale apo gjeostrategjike. Gazsjellësi i Detit Balltik është një shembull i mirë për këtë."Ky nuk është projekt politik, por komercial, i cili megjithatë politizohet shumë".Kështu shprehet eksperti për Rusinë Alexander Rahr nga Qendra Berthold Beitz e Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme në Berlin.
"Unë do të thosha që projekti është të dyja, është me kuptim si në pikëpamje ekonomike, ashtu edhe politike," mendon eksperti i energjisë i Deutsche Bank Research në Frankfurt mbi Main Josef Auer.
Konstantin Simonow, drejtues i fondacionit rus për siguri nacionale është i bindur se politikën dhe ekonominë nuk mund t'i ndash nga njëra -tjetra, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje energjitike. Ka padyshim projekte që nuk kanë kuptim në pikëpame ekonomike thotë Simonov. Por në rastin e gazsjellësit të Detit Balltik bëhet fjalë vërtet për çështje ekonomike.
Por kritikët thonë se në këtë rast bëhet fjalë po kaq shumë për politikë. Vendosja e një tubacioni në tabanin e detit është shumë më e kushtueshme se sa kalimi i tij mbi tokë. Kursimet nga taksat e kalimit tranzit e nxjerrin veten vetëm pas shumë vitesh. Prandaj, shpenzimet e larta të investimit justifikohen edhe me shkaqe politike.
“Sot gazsjellësi i Detit Balltik është pranuar“
Kritikë për projektin ushtruan në fillim veçanërisht vendet fqinjë me Detin Balltik. Kështu Varshava shprehu dyshimin se Rusia dhe Gjermania janë lidhur në aleancë kundër Polonisë. Stokholmi shprehu frikën se një platformë detare në afërsi të kufirit suedez - e menduar zyrtarisht për mbajtjen në punë të tubacionit të gazit - do t'i shërbente në të vërtetë spiunazhit dhe madje operacioneve ushtarake. Edhe politikanë gjermanë shprehën drojën se gazsjellësi mund ta shtonte në atë masë varësinë nga gazi rus, sa Moska të diktonte çmimet dhe të bënte shantazh ndaj Berlinit.
Por e gjithë kjo i përket së kaluarës: platforma e diskutueshme detare nuk u ndërtua. Shumica e skeptikëve polakë, gjermanë, skandinavë dhe balltikë ndryshuan mendje ose të paktën u qetësuan. Që gazsjellësi i Detit Balltik u realizua dhe që për të e dhanë miratimin të gjitha vendet e Detit Balltik, kjo është së fundi një meritë e ish-kancelarit Gerhard Schröder, mendon eksperti i Rusisë Rahr.
"Unë mendoj që suksesi më i madh i tij është rënia dakord me Suedinë dhe Danimarkën" "Gazsjellësi i Detit Balltik ka kohë që është kthyer në infrastrukturë evropiane. Sot gazsjellësi i Detit Balltik pranohet."
Kështu shprehet Komisari i BE për Energjinë, Günther Oettinger. Meqenëse BE e shpalli në vitin 2006 gazsjellësin një projekt me interes panevropian, ai e bëri atë edhe për investuesit tërheqës.
Projekt evropian apo euro-rus?
Strategjia e ndërkombëtarizimit të projektit, e dakorduar me partnerët gjermanë është arritja më e rëndësishme politike, beson eksperti rus për energjinë, Simonov. "Gazsjellësi i Detit Balltik nuk është një projekt rus, as ruso-gjerman, siç u duk në fillim. Pas angazhimit të sipërmarrjeve nga Hollanda dhe Franca, ai është një projekt evropian", thekson eksperti nga Moska.
Autor: Andrej Gurkov / Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti