1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po dështon projekti për furnizim të pavarur me gaz?

26 Prill 2012

Projekti i gazsjellësit Nabucco duhej t'i jepte Evropës Qendrore më shumë pavarësi nga furnizimi me gaz rus. Por një anëtar i konsorciumit është larguar duke rrezikuar kështu gjithë projektin.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Duhej të ketë qenë një takim në harmoni ai në vitin 2002, i mbyllur bukur me një vizitë të përbashkët në Operën e Vjenës. Në program ishte "Nabucco" i Xhuzepe Verdit dhe përfaqësuesve të koncerneve energjetike nga Turqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Austria duhet t'u ketë pëlqyer shfaqja. Përse ndryshe do ta pagëzonin projektin e sapolindur sipas operës së Verdit? Asokohe bëhej fjalë për një projekt mjaft ambicioz, që do të siguronte pavarësinë nga furnizuesi rus Gazprom dhe do të krijonte një konsorcium për një gazsjellës nga Azerbajxhani deri në Austri - gazsjellësi Nabucco.

Planifikim i ndjeshëm ndaj krizave

Nga harmonia e dikurshme dhjetë vjetë më vonë nuk ka mbetur asgjë. Koncerni energeitik gjerman RWE e sheh tashmë me sy kritik pjesëmarrjen në projektin e gazsjellësit dhe mendon të dalë prej tij. Të martën (24.04.2012) edhe koncerni energjetik hungarez MOL njoftoi se nuk pranon të paguajë më për projektin për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostove. Financimi në këtë vëllim nuk mund të realizohet, u argumentua shkurt nga Budapesti mosmiratimi i buxhetit për 2012. Në vend të 8 miliardë eurove projekti sipas qarqeve të informuara, kushton tani 15 miliardë euro. Shkak për rritjen e kostove janë rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Për anëtarët e konsorciumit kjo do të thotë tani kursim, thotë Jonas Grätz nga Qendra për Studime për Sigurinë në ETH në Zyrih: "Hungaria ndodhet në krizë ekonomike dhe nga ana tjetër ka marrë oferta të mira nga Rusia. Hungaria është gjithashtu pjesë e projektit rus South Stream. Hungaria është shumë e varur nga furnizimet ruse me gaz natyror", tha Grätz për Deutsche Welle-n. Bashkëpunimi me palën ruse është thjesht më rentabël se puna për gazsjellësin Nabucco.

Jonas Grätz (Center for Security Studies, ETH Zyrih)Fotografi: Jonas Grätz

South Stream, i cili duhet të transportojë gaz përmes Hungarisë deri në Itali, është vetëm një nga projektet e shumta konkurrente, nën të cilat vuan Nabucco. Ndër të tjera është edhe projekti turk Tanap dhe një gazsjellës i planifikuar i koncernit BP. "Vlerësimi im është që Nabucco është i dobësuar nga reagimi i Hungarisë", thotë Grätz^, "projekti alternativ i BP duhet të ketë shanse më të mira."

Gazsjellësi nuk ka vdekur - është vetëm më i shkurtër

Projekti megjithatë nuk duhet të marrë fund për shkak të partnerit të larguar nga konsorciumi. Një alternativë më pak e kushtueshme do të ishte që gazsjellësi të arrinte deri në kufirin grek dhe pastaj të përdoreshin tubacionet ekzistuese turke -  në vend të shtrirjes së tubacioneve të Nabuccos në të gjithë Turqinë deri në kufirin azerbajxhanas dhe gjeorgjian. "Unë mendoj se gazsjellësi Nabucco do të shkurtohet patjetër", vlerëson Grätz, "se çfarë do të thotë vendimi hungarez për projektin, kjo do të shihet". Tërheqja nga Nabucco ishte para së gjithash një gjest simbolik i Hungarisë, mendon eksperti. "Kështu Hungaria donte thjesht të tregonte se projekti rus South Stream për momentin është në avantazh".

Megjithatë kështu shanset që ofron Nabucco për shtetet në Evropën Lindore dhe Qendrore nuk shfrytëzohen dhe kuptimi fillestar i projektit nuk arrihet, pra pavarësia nga Rusia. Për këtë duhet pritur se çfarë do të sjellë projekti i planifikuar i BP-së, thotë Grätz, por për këtë nuk dihen ende hollësi. "Pyetja më e rëndësishme është nëse do të arrihet që të sillet gazi nga Azia Qendrore në tregun evropian në mënyrë të pavarur nga Rusia. Nëse kjo bëhet përmes Nabucco-s apo një gazsjellësi tjetër, kjo nuk ka rëndësi", mendon eksperti.

Fotografi: DW

Në vitin 2002 në takimin e iniciatorëve të projektit në Vjenë planifikohej që gazsjellësi të fillonte nga puna në vitin 2015. Tani edhe vetë ekspertët nuk guxojnë të bëjnë më parashikime.

Autor: Friedel Taube / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj