1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Generation99”: Të rinjtë nga Kosova e Serbia në Kumanovë

Bahri Cani | Ivan Djerkovic
2 Qershor 2024

Si e shikojnë të rinjtë nga Kosova e Serbia, të cilët kanë lindur në kohën e luftës së vitit 1999 të ardhmen e këtyre vendeve? Me iniciativën e DW ata u takuan në Kumanovë ku u nënshkrua Marrëveshja që i dha fund luftës.

Takim i të rinjve nga Kosova e Serbia në Kumanovë, duke folur drejtuesja e Programeve të Europës, Adelheid Feilcke, majtas gazetarja e DW, Vjosa Çerkini si edhe Aleksandar Bugarin
Takim i të rinjve nga Kosova e Serbia në Kumanovë, duke folur drejtuesja e Programeve të Europës, Adelheid Feilcke, majtas gazetarja e DW, Vjosa Çerkini si edhe Aleksandar BugarinFotografi: Pandeli Pani/DW

Shenjat rrugore janë të komplikuara dhe nëse nuk keni kujdes, shpejt mund të humbisni rrugën nëpër kthesat e ngatërruara. Rrugët janë në gjendje shumë më të keqe. Drejtuesit e dy autobusëve, njëri me tabela nga Kosova e tjetri nga Beogradi, dy herë detyrohen të kthehen në rrugë.

Më në fund shfaqet para nesh hyrja e aeroportit sportiv të Kumanovës, tre kilometra nga Serbia dhe gjashtë kilometra larg nga Kosova. Asgjë në vështrim të parë nuk të kujton se 25 vjet më parë, më 9 qershor 1999, këtu është nënshkruar një marrëveshje që i dha fund luftës së përgjakshme: Marrëveshja Teknike-Ushtarake mes forcave të NATO-s dhe Serbisë.

Vetëm nëse shikon me shumë vëmendje, mund të shohësh gjurmët metalike në beton, gjurmët e vendit ku ishte e vendosur një tendë e madhe ku u mbajt takimi i përfaqësuesve të NATO-s dhe Serbisë. Të rinjtë nga Prishtina dhe Beogradi u befasuan paksa. Ata prisnin të kishte ndonjë shenjë më konkrete se aty është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës.

Takim i të rinjve nga Kosova e Serbia në KumanovëFotografi: Pandeli Pani/DW

"Gjenerata 99"

Por ky aeroport sportiv ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes. Pikërisht ky vend i vogël ka qenë një qendër e rëndësishme logjistike prej nga janë koordinuar sulmet ndaj forcave serbe në vitin 1999. Erëza Krasniqi dhe David Petroviq, që kanë lindur në kohën e luftës, thonë se ata kanë dëgjuar shumë për luftën. Por janë të habitur që askush nuk ka shënuar asgjë për këtë ngjarje të rëndësishme në vendin, ku është nënshkruar marrëveshja.

"Unë natyrisht që nuk e kam përjetuar luftën, sepse kam lindur në atë kohë. Por ky vend më zgjon emocione të shumta dhe më kujton historitë e luftës. Ishte një kohë shumë e dhimbshme për ne shqiptarët”.

Isthe koha kur forcat serbe dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre rreth 800.000 shqiptarë dhe vranë mbi 12.000. Mijëra persona akoma konsiderohen të pagjetur. Nga lufta kanë kaluar 25 vjet, por plagët akoma janë të freskëta dhe të thella.

Erëza dhe Davidi janë vetëm dy nga pjesëmarrësit e projektit "Generation99” i organizuar për herë të dytë nga Deutsche Welle. Herën e parë të rinjtë shqiptarë dhe serbë, të lindur në kohën e luftës janë takuar këtu para pesë vitesh, në përvjetorin e 20-të të nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Tani disa prej tyre takohen për herë të dytë, si Afërdita, Gentiana, Irena, Aleksandar, apo dhe Gresa, Ibrahimi. Për herë të parë pjesë e projektit ishin edhe Aleksandra, Mergimja, Xhyzidja, Medina, Milica, Sara. Shumë prej tyre tanimë kanë bërë hapat e parë serioz në gazetari dhe janë e ardhmja e këtij profesioni në Kosovë e Serbi. Nga sjellja dhe kurioziteti i tyre shihet se janë të interesuar shumë për detajet e rëndësishme!

Takim në KumanovëFotografi: Pandeli Pani/DW

Ide konstruktive kundër paragjykimeve

Një takim për të biseduar dhe shkëmbyer ide, për të analizuar pak të kaluarën, por më shumë për të shikuardrejt të ardhmes së raporteve jo vetëm mes Kosovës e Serbisë, por edhe mes të rinjve. Ndoshta për të dhënë edhe ndonjë sugjerim konkret... Këto ishin vetëm disa nga idetë bazë të diskutimit të përbashkët, i cili pas vizitës në aeroportin e Kumanovës u mbajt në një lokal të afërt në komunën me mbi 100.000 banorë, e dyta më e madhe për nga numri i banorëve në Maqedoninë e Veriut, por një zonë që ende ka një rrugë përpara drejt zhvillimit.

"Luftërat e viteve 1990 kanë ende ndikim në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Këtu është e rëndësishme t'i kundërvihemi paragjykimeve dhe tensioneve me ide konstruktive dhe t'i jepet një zë brezit të ri”, shpjegon iniciatorja e projektit, drejtuesja e Programit të DW për Evropën, Adelheid Feilcke. Kjo është arsyeja, pse Deutsche Welle mblodhi profesionistë të rinj të medias, të cilët kanë lindur në vitin 1999 dhe mund të shprehin mendimet e tyre për të kaluarën, por edhe të hedhin ide për të ardhmen e raporteve mes tyre.

"Projekt i shkëlqyer që jep shpresë se të rinjtë mund të bisedojnë së bashku"

Jehonë këtij takimi iu dha nga Radio Televizioni i Kosovës por edhe nga televizioni gjerman "Phoenix”, si dhe përfaqësues të disa mediave nga Kosova e Serbia, që ishin ndër pjesëmarrësit e projektit. Interesim kishte edhe nga mediat lokale të Maqedonisë së Veriut. E ftuar në diskutim ishte edhe ambasadorja gjermane në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler. Ajo kujtoi se ka lindur në ish-Gjermaninë Lindore dhe foli për përvojat e saj personale nga "integrimi gjermano-gjerman”.

"Janë këto ndjenja dhe këndvështrime të ndryshme për jetën së bashku. Prandaj është e rëndësishme ajo që po ndodh këtu mes serbëve dhe kosovarëve. Ky është një projekt i shkëlqyer që jep shpresë se të rinjtë mund të bisedojnë së bashku sot. Se kanë ide konkrete, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e tyre”, thotë Drexler.

Takim i të rinjve nga Kosova e Serbia në Kumanovë - ambasadorja gjermane në Maqedoninë e Veriut, Petra DrexlerFotografi: Pandeli Pani/DW

"Ne nuk jemi aspak të ndryshëm"

Nën drejtimin e Vjosa Çerkinit dhe Aleksandar Bugarin, pjesëmarrësit u ndanë në grupe të ndryshme për të punuar me analiza konkrete për të kaluarën dhe ide për të ardhmen. Ata propozuan edhe ide për projekte të përbashkëta mediatike në të ardhmen. Vetëm brezi i ri mund të mbajë çelësat e së ardhmes, u tha në takim edhe nga ambasadorja gjermane në Shkup.

"Ndonjëherë mjafton vetëm të dëgjosh të tjerët, të njohësh këndvështrime të tjera”, tha një nga pjesëmarrëset e projektit, Irena Çuçkoviq. "Më pas e kuptojmë shpesh se shkojmë në të njëjtat festivale muzikore, se kemi shumë të përbashkëta në kulturë, mentalitet, se na pëlqen ushqimi i ngjashëm... Që nuk jemi aspak të ndryshëm”.

"I think we can make the change!” (Mendoj se ne mund ta bëjmë ndryshimin) tha Aferdita Lukaj nga Prishtina. Aleksandri nga Novi Sadi dhe të tjerë, që ishin të njëjtit mendim. Nga pjesëmarrësit u dëgjua se në këtë moment tingëllojnë këto fjalë mbase si një "Mission impossible”, (Mision i pamundur). Por edhe rruga më e gjatë dhe më e mundimshme fillon me hapat e parë.  

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë