1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Gerd Müller: "Bomba e kombit" ndërron jetë

16 Gusht 2021

Asnjë sulmues nuk ka shënuar aq shumë gola në Bundesligë sa Gerd Müller. Me klubin FC Bayern dhe me kombëtaren ai ka festuar shumë kupa. Më 2015 Müller u diagnostikua me Alzheimer dhe tani ndërroi jetë në moshën 75 vjeç.

Deutschland | Fußball Legende Gerd Müller ist tot
Fotografi: Bikas Das/AP/picture alliance

"Si sulmues mesfushor duhet ta dish, se ku ndodhet porta", është shprehur dikur Gerd Müller. "E unë e kam ditur këtë." Sulmuesi i zhdërvjellët ishte fenomenal, mënyra e tij e lojës unikale. Shpesh me kurriz nga porta, Müller e kapte topin edhe nëse ai ndodhej larg shpinës së tij. Në këtë mënyrë ai shënoi edhe golin, që vet Müller e ka cilësuar si „golin më të rëndësishëm të tij":  2:1 në finalen e Kampionatit Botëror në Mynih kundër Holandës, goli, që i solli Gjermanisë më 1974 për të dytën herë titullin e kampionit botëror. "Unë me vështirësi e ndala topin, por reagova shumë shpejt me këmbën e djathtë", përshkruante Müller golin e tij vite më pas. "E kësisoj topi hyri në portë."

Ndeshja FC Bayern München - Eintracht Frankfurt, 29.05.1976Fotografi: SvenSimon/picture alliance

Topi hyri në portë e ky gol karakterizoi edhe karrierën e mëtejshme të Müller-it. Ai nuk bënte gjithmonë gola të bukur, por ka shënuar shumë herë. Në ekipin e madh të Bayernit në vitet 70-të, ai shkëlqente mes yjeve të futbollit si Franz Beckenbauer, Sepp Maier, Paul Breitner dhe Uli Hoeneß: Gerd Müller ishte në konstelacion me ta një ndër shtyllat më të rëndësishme. "Ky sigurim jete, ishte unikal. Ti e dije, që në një farë mënyre ai do të bënte gol", i përshkruan Breitner aftësitë e Müller-it në një dokumentar të medias Norddeutsche Rundfunk me rastin e 75 vjetorit të lindjes së sulmuesit duke konstatuar, se: "Ai është gjeniu më i madh, që kam përjetuar në futboll."

"Bomba" dhe golshënuesi rekord

Müller në vitin 1964 në moshën 18 vjeç nga qyteti provincial bavarez Nördlingen, ku luante në ligën rajonale, kaloi në klubin FC Bayern. Shuma për këtë transferim të sulmuesit të ardhshëm të nivelit botëror ishte asokohe vetëm 4400 Deutsch Mark, një kontribut, që me kalimin e viteve ia vlejti shumë herë për klubin. Me mbërritjen në Mynih Müller kishte disa kg më shumë në peshë për një futbollist profesionist. Traineri i tij i parë i Bayern-it, Tschik Cajkovski, i vuri atij nofkën "Mülleri i vogël, trashaluq" dhe ia ndaloi fillimisht pjesëmarrjen në ekipin e ligës rajonale. Më vonë lojtari u pranua në ekipin profesionist, ku dhe fitoi nofkën vlerësuese "Bomba". 

Ndeshja Angli-Gjemrani në stadiumin Azteca, Mexico City. Gerd Müller dhe portieri Peter BonettiFotografi: Bettmann Archive

365 gola në Bundesligë ka shënuar Müller në 427 ndeshje për ekipin FC Bayern. Një shifër e paarritshme. Edhe 68 golat e tij me kombëtaren për shumë kohë ishin rekord, derisa Miroslav Klose ia kaloi Müller-it në vitin 2014. Müller fitoi me FC Bayern katër herë titullin kampion i Gjermanisë dhe katër herë kupën e Federatës Gjermane të Futbollit, DFB. Ai ka fituar tri herë kupën europiane, u bë fitues i kupës botërore, e po ashtu edhe kampion i Europës dhe Botërorit. Shtatë herë ka marrë ai titullin si breshëria e portës dhe mbrojtësi më i mirë i portës në Bundesligë, në sezonin 1971/72 madje ai arriti të shënojë 40 gola. Ky rekord ka qenë i paarritshëm derisa tani më 2021 e tejkaloi sulmuesi aktual i Bayern-it Robert Lewandowski me 41 gola në sezonin 2020/21. 

Atdheu i ri në Florida

Deri më 1979 Müller është në sulm për FC Bayern, më pas ai largohet nga klubi në grindje me trainerin për shkak të një shkëmbimi për arsye sportive. Ai ndërroi klubin duke kaluar tek Fort Lauderdale në SHBA në shtetin e Floridës. Pas karrierës sportive atje Müller bashkë me bashkëshorten dhe miqtë menaxhonte një restorant Steakhaus. Deri në mes të viteve 80-të ai qëndroi në Florida. Pas kthimit në Mynih Müller ra në pasivitet. Nuk kishte punë, nuk kishte një agjendë të rregullt ditore dhe filloi të pijë, derisa u alkohoolizua. Vetëm kur ishte tepër vonë, atë e shpëtoi iniciativa e shokëve të vjetër të ekipit të FC Bayern.

Uli Hoeneß, asokohe menaxher i Bayern-it në fund të vitit 1991 i ofroi ndihmë atij, më pas i ofroi edhe një punë. "Gerd, nëse ke nevojë për ndihmë dhe e pranon atë, ne jemi të gatshëm. Por ne mund të të ndihmojmë, vetëm nëse ti do të ndihmosh vetveten", i pati thënë atij Hoeneß, sikurse shkruante gazeta e Mynihut "Abendzeitung". Müller fillimisht i refuzoi të gjitha, por pasi u mendua vendosi të bëjë kurën e dealkohoolizimit. Më pas ai u integrua në ekipin e trainerëve të Mynihut. Për Gerd Müller nisi një lloj karriere e dytë në klubin FC Bayern. Kur ai shkonte në turne jashtë vendit me klubin ishte pikërisht Müller-i figura atraktive, „bomba", idhulli i viteve 70-të. Tifozë nga e gjithë bota kërkonin prej tij autograme dhe fotografi sikur ai të ishte një ndër yjet e ekipit aktual.

Nga ndeshja Bayern-München - Sarrenbruck, prill 1977Fotografi: Icon Sport/Getty Images

Distancim në heshtje

Vjeshtën e vitit 2014 Gerd Müller u tërhoq nga posti i tij për arsye shëndetësore. Një vit më vonë klubi FC Bayern bëri publik lajmin, se Müller është i sëmurë nga Alzheimer dhe ndodhej nën kujdes në një strehimore. "Ai është i qetë dhe paqësor, besoj unë, e nuk duhet të vuajë. Ai gradualisht është duke u përgjumur për në amëshim", thotë bashkëshortja e Müller-it, Uschi, me të cilën ai ka qenë i martuar qysh nga viti 1967. Në fillim të nëntorit 2020 ajo i tha gazetës "Bild"-Zeitung: "Shpresoj, që ai nuk mund të mendojë për fatin e tij, për sëmundjen, e cila i rrëmben njeriut dinjitetin e tij të fundit." 

Me Müller-in largohet një figurë e madhe e futbollit gjerman. Ai vet asnjëherë nuk i kushtonte rëndësi të ishte në epiqendër të vëmendjes së publikut. Në heshtje ai u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare, një jetë, për të cilën ai vet nuk mund të kujtohej më. Por Gerd Müller do të mbetet në memorjen e të tjerëve – tifozëve, bashkëlojtarëve dhe kolegëve – e po ashtu edhe në historinë e futbollit gjerman ai do të zerë një vend krejt të veçantë.