1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjahtarë" të refugjatëve në Bullgari dëbojnë migrantët"

Carla Bleiker18 Prill 2016

Refugjatët përpiqen t'i shmangen Bullgarisë. Ata që përfundojnë atje, dëbohen nga të ashtuquajturat rojet qytetare.

Bulgarien Syrische Flüchtlinge in Sofia
Fotografi: Getty Images/AFP/N. Doychinov

Një sërë videosh që qarkullojnë prej disa muajsh në mediet sociale tregojnë se si një grup civilësh në Bullgarinë Jugore përpiqet të ndalojë refugjatë.

Në një video të re shihen azilkërkues, të cilëve ua kanë lidhur duart. Në sfond dëgjoheh se si u bërtet një burrë. Videoja, e cila u shfaq në shumë kanale televizive anglishtfolëse është xhiruar nga një grup vigjilent bullgar, që e kryen aktivitetin në kufi me Turqinë.

Një anëtar i grupit të rojeve bullgare, që nuk shihet në video, dëgjohet që thërret në sfond me një anglishte të çalë:

"Turqi!"

"Kthehuni mbrapsht!"

"Mbrapsht Turqi!"

"Tani, Turqi!"

"Jo Bullgari. Jo Bullgari. Jo Bullgari! Menjëherë!"

Pak para kësaj u tregua një video e ngjashme, e cila ishte regjistruar në një pyll. Personi që e vendosi videon në internet shkroi se grupi i tij kishte ndeshur në 23 refugjatë nga Afganistani. Meqenëse grupi nuk kishte qenë në gjendje t'ia shpjegonte policisë saktësisht vendndodhjen, ata shkuan së bashku me migrantët në fshatin fqinjë, shpjegonte autori i blogut. Një ekip televiziv i stacionit televiziv bullgar NOVA i shoqëroi rojet në këtë ditë për emisionin "No Man's Land" apo "Tokë e askujt".

Videot shkaktuan në Bullgari dhe përtej kufijve të vendit diskutime të ashpra, edhe sepse temën e bënë të tyre mediet ndërkombëtare. Brenda Bullgarisë shumë vetë i shohin në mënyrë shumë më pak kritike grupet e rojeve qytetare se sa shihen ato në botën e jashtme.

Një sondazh i kryer para pak kohësh i televizionit shtetëror bullgar nxorri në pah se një pjesë e madhe e qytetarëve e mbështet angazhimin e rojeve qytetare në jug të vendit. Nga bullgarët e pyetur, 84 përqind e mbështesin aksionin, 16 përqind janë kundër.

Kush qendron pas të ashquajturave roje?

Rojet nuk janë organizata zyrtare, por një grup i organizuar jo në mënyrë të qendrueshme me mendime dhe përfytyrime të ngjashme. Një mundës gjysëm profesionist i quajtur Dinko Valev është pak a shumë zëdhënësi i këtij grupi. Pas publikimit të videos së parë në fillim të prillit, Valevin e mori në pyetje policia. Ai ka dalë disa herë edhe në televizionin bullgar.

Refugjatët ai shpesh i barazon me xhihadistët, mbështetësit e quajnë atë "superhero". Në shkurt ai nxorri në internet videon e tij, ku duken anëtarë të grupit të tij si mbledhin refugjatë. "Po të lejohen ata të ndezin bomba, kjo më lejohet edhe mua", i tha Valevi redaksisë bullgare të DW në mars. Grupi i Valevit ka një faqe në Facebook me 20 anëtarë aktivë. Ata shpërndajnë fotografi të aksioneve të tyre dhe tregojnë si ecin në patrulla.

Ministri i Jashtëm: vetëgjyqësia ndëshkohet

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov i lëvdoi rojet qytetare dhe tha se mbrojtja në kufijtë jugorë të Bullgarisë duhet të kthehet në projekt të përbashkët. Pasi në botën e jashtme pati revolta për gjahtarët e migrantëve, Borisovi e ndryshoi deklaratën e tij. Në Facebook ai bëri të ditur se aksionet ilegale do të ndiqen juridikisht. Në 14 prill, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Miltov u distancua në një intervistë me DW nga rojet qytetare.

"Kjo është diçka, që nuk do ta durojmë në asnjë mënyrë", tha Miltovi. "Në Bullgari ka autoritete dhe institucione që bëjnë punën e tyre. Qytetarët mund të njoftojnë shumë shumë për raste, por në asnjë mënyrë ata nuk mund ta marrin vetë në dorë ligjin."

Në një "doracak për refugjatë" në gjuhën arabe, Bullgaria është në vendin e parë për vendet që duhet të shmangin refugjatët. Muajt e fundit, numri i refugjatëve që përpiqen të vijnë nga Turqia për në Bullgari ka rënë. Megjithë mbylljen e kufirit greko-maqedonas, gjendja nuk ka ndryshuar.