Gjakderdhja në Siri nuk ka të ndalur
13 Korrik 2012Sipas të dhënave të zyrës së vëzhguesve për të drejtat e njeriut, nga një masakër e kryer nga trupat qeveritare kanë vdekur në Siri më shumë se 100 njerëz. Burime të tjera bëjnë të ditur se kanë humbur jetën deri në 200 njerëz. Edhe në provincën e Damaskut, Lattakia dhe në qytetin bastion të kryengritësve Homs, sipas të dhënave të aktivistëve kanë vdekur përsëri shumë njerëz. Opozita dhe qeveria fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën e përgjakshme në vend. Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, ka bërë fajtor regjimin e presidentit Baschar al-Assad.
Ndërkohë presidenti sirian është gjithnjë e më shumë nën presionin e zhvillimeve në politikën e brendshme të vendit. Navaf Fares, ambasadori i deritanishëm i Sirisë në Irak ka kaluar në krahun e opozitës. Ai që mbahej si diplomat i rangut më të lartë, tashmë quhet dezertor duke u kthyer kundër qeverisë së Damaskut. Më parë ishte larguar nga vendi një ish gjeneral i lartë.
Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit diskuton për vendosjen e sanksioneve kundër regjimit në Damask. Një projektrezolutë e paraqitur nga vendet perëndimore ku parashikohet një ndërhyrje e mundshme ushtarake, u hodh poshtë në mënyrë kategorike nga Rusia. Sipas agjencisë së lajmeve, Reuters, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Kofi Annan do të shkojë të hënën në Moskë për të biseduar lidhur me konfliktin në Siri.