1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Gjashtë anëtarë të MEK nën hetim

21 Qershor 2023

Gjashtë anëtarë të Organizatës së Popullit Muxhahedin të Iranit MEK, të strehuar në Shqipëri në Manzë, janë vënë nën hetim për kundërshtim të forcave të policisë gjatë kontrollit të kryer në kampin Ashraf 3.

MEK protestoi pas kontrollit nga policia në kampin Ashpraf në Manzë, Durrës
MEK protestoi pas kontrollit nga policia në kampin Ashpraf në Manzë, DurrësFotografi: Rashela Shehu/DW

Përmes një deklarate zyrtare Policia e Shtetit bëri të ditur, se oficerët u ndeshën me reagimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm nga shtetasit që strehohen në residencë, për të penguar kontrollin dhe sekuestrimin e disa pajisjeve që janë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK). Sipas Policisë anëtarët e MEK po hetohen në gjendje të lirë për 4 vepra penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, "Shkatërrimi i pronës” dhe "Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Përplasja me policinë, anëtarët e MEK pretenduan për viktima

Ekzekutimi i një vendimi të lëshuar nga gjykata me kërkesë të SPAK-ut për sekuestrimin e disa pajisjeve teknologjike që ndodheshin në mjediset brenda kampit ASHRAF 3 u interpretua nga residentët si një sulm i kryer kundrejt tyre nga policia shqiptare. Përmes një deklarate për mediat ata pretenduan se nga dhuna e ushtruar nga efektivët dhe nga hedhja e gazit lotsjellës humbi jetën një anëtar i MEK-ut dhe u plagosën disa dhjetra të tjerë. Ky prendim u hodh poshtë nga Policia e Shtetit që mohoi të kishte ushtruar dhunë ndaj banorëve, përveç përdorimit të gazit lotsjellës dhe sprajit me piper në mënyrë që të vijonin me kontrollin e mjediseve. 

Në një dalje për mediat Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se vdekja e personit në kamp nuk erdhi si pasojë e veprimeve të policisë. ‘' Ka pamje edhe nga policia, por jam i bindur që ka pamje edhe nga vetë anëtarët e MEK, që vërteton këtë gjë'' - u shpreh Çuçi. Ai shtoi se nga përplasja mbetën të lënduar 15 efektivë të policisë. 

MEK protestoi pas kontrollit nga policia në kampin Ashpraf në Manzë, DurrësFotografi: Rashela Shehu/DW

Aktualisht, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së banorit të kampit që pritet të dalin nga raporti i autopsisë mjeko – ligjore. 

Ministria e Brendëshme: ‘'MEK theu marrëveshjen''

Nga Prokuroria e Posaçme nuk janë bërë me dije arsyet që çuan në kontrollin e mjediseve të brendshme të kampit ASHRAF 3 apo për sekuestrimin e serverave dhe pajisjeve të tjera teknologjike që ndodheshin aty. Nga ana tjetër Ministria e Brendshme e argumentoi nisjen e hetimit me thyerjen e marrëveshjes mes organizatës MEK dhe qeverisë shqiptare të nënshkruar në vitin 2014. ‘'Organizata MEK ka marrëveshje me qeverinë shqiptare për t'u strehuar në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Atyre u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik. Herë pas here kemi pasur shqetësime për mosrespektimin e marrëveshjes'' – u shpreh ministri Çuçi gjatë konferencës për shtyp, pa dhënë më shumë detaje mbi indicjet e hetimit. 

Organizata opozitare e Iranit (MEK) u krijua në filim të viteve 1960 si një levizje protestë kundër regjimit të Shahut të Iranit dhe vepron në emigrim. Vendosja e muxhahedinëve në Shqipëri nis prej vitit 2012, kur qeveria e udhëhequr në atë kohë nga ish kryeministri Sali Berisha pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për të pritur fillimisht rreth 210 muxhahedinë të MEK. Aktualisht në Shqipëri në kampin e Manzës strehohen afro 3000 anëtarë të kësaj organizate. Strehimi i tyre solli përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, deri në shkëputjen e plotë gjatë vitit të kaluar pasi hakerat iranianë sulmuan sistemet elektronike të qeverisë shqiptare dhe portalin e-Albania, duke rrjedhur publikisht qindra giga me të dhënat personale të shqiptarëve. Sulmi u mor përsipër nga Humeland Justice, një organizatë e mbështetur nga Irani.