1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish armatime dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës

21 Nëntor 2024

Që nga sulmi i një viti më parë në Banjskë, policia ka njoftuar disa herë për gjetjen e armatimit dhe uniformave ushtarake në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Veshje dhe armë të numëruara në një tavolinë
Armë dhe veshje ushtarake të gjetura nga policiaFotografi: Press office of the Kosovo Police

Policia e Kosovës gjatë dy ditëve të shkuara me aksione të ndryshme në veri të Kosovës në komunën e Zubin Potokut dhe atë të Zveçanit, ka gjetur sasi të konsiderueshme armatimi  dhe pajisje tjera ushtarake. Policia njoftoi, se aksioni u zhvillua për të dyshuarin e identifikuar me iniciale S.M, që po kërkohet lidhur me një laborator droge. Por në vendin ku dyshohej se gjendej ai, u gjetën armatime. Ky rast sipas policisë ka të bëjë "me një person me interes, që dyshohet të jetë i lidhur me rastin Banjska”,  rast ky i shtatorit të vitit të shkuar ku nga grupe serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës.

Armë, fishekë dhe uniforma

"I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij gjegjësisht në mal në një vend të mbuluar me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake, pjesë të pushkëve të gjata, jelekë taktikë, gazmaska, një tytë të pistoletës, një palë pranga dhe 1.471 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë. Në veri të Kosovës muajve të fundit policia kanë njoftuar për gjetjen dhe shkatërrimin edhe të disa laboratorëve të drogës sikundër edhe shumë armatim të gjetur në lokacione të ndryshme.

Zbulimet e fundit të operacionit policor të KosovësFotografi: Press office of the Kosovo Police

Ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla, në një reagim të tij, tha se armët që po gjenden në veri "nuk janë thjesht mbetje e bandave kriminale e terroriste, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta". "Si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë", shkroi Sveçla në Facebook, duke shfaqur edhe foto dhe video gjatë aksionit të policisë ku gjendej armatimi.

Rasti i Banjskës - më i rëndi nga shpallja e pavarësisë së Kosovës

Më 25 shtator të vitit të shkuar një grup serbësh të armatosur vranë rreshterin e policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë u vranë tre sulmues. Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e mori Milan Radojçiq, ish nënkryetar i listës Srpska që është partia politike më e madhe e serbëve të Kosovës. Prokuroria Speciale e Kosovës dy muaj më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e armatosur në veri të Kosovës në Banjskë. Kjo ngjarje nga autoritetet kosovare u cilësua një nga ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nxitur shqetësime edhe tek autoritetet ndërkombëtare për stabilitetin rajonal.

Armë të gjetura nga policiaFotografi: Press office of the Kosovo Police

Prokurori i rastit Naim Abazi, pati thënë se "ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Milan Radojçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”. Radojçiq strehohet në Serbi pas sulmit në Banskë. Prokuroria e Lartë Publike në kryeqytetin e Serbisë në Beograd, po ashtu pati njoftuar se është duke kryer hetime për rastin në Banjskë, e cila e ngarkon Radojçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Gjykata e Lartë në Beograd, në fund të vitit të shkuar e refuzoi një kërkesë të Prokurorisë së Serbisë për arrestimin e Radojçiq, e la të lirë atë, por ia konfiskoi pasaportën, duke ia ndaluar shkuarjen në Kosovë. Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit  u cilësua si sulm terrorist nga autoritetet kosovare, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë, të cilët kërkojnë që autorët të vihen para drejtësisë.