1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja e arsimit të shqiptarëve në Serbi

16 Tetor 2010

Profesorët dhe autoritetet arsimore të komunave Preshevë dhe Bujanoc, janë detyruar të marrin kontrabandë libra nga Kosova, sepse shteti i Serbisë nuk ka siguruar tekstet shkollore për fëmijët e komunitetit shqiptar.

Kind aus Kosovo mit Schulbuch in Albanien
Fotografi: AP Photo

„Qeveria serbe nuk është e interesuar të zgjidhë problemin e nxënësve shqiptarë i cili ekziston me dekada. Prandaj, nxënësit mësojnë tashmë me librat nga Kosova dhe me programin e atjeshëm mësimo“, thotë Nexhmedin Ahmeti, drejtor i drejtorisë së arsimit në komunën e Preshevës.

Librat kalohen përtej kufirit në menyrë ilegale, por nganjëherë përfundojnë në duar të policisë. „Abetaret kanë arritur në Preshevë, ndërsa librat e tjerë, gjithsejt 400 mijë tekste shkollore dhe 500 CD nga kultura muzikore, policia na i ka konfiskuar në kohën kur një traktor po i sillte në Preshevë. Librat gjenden në terminalin doganor, ndërsa unë kam informata jozyrtare për inicimin e procedurës penale ose kundërvajtëse kundër personit i cili i ka vozitur traktorin me libra“, thotë Nexhmedin Ahmeti për Deutsche Wellen.

Traktorin, rimorkio e të cilit ka qenë e mbushur me libra të cilat Ministria e Arsimit në Kosovë ua ka dhuruar nxënësve shqiptarë në Preshevë, e ka vozitur një nxënës i shkolles së mesme.

Ministria e Arsimit e Serbisë nuk e di se çfarë po ndodh

Përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi thotë se Ministria Serbe e Arsimit në këtë vit shkollor për herë të parë ka siguruar një pjesë të librave për nxënësit e klasës së parë. Por, kjo nuk e zgjidh problemin, duke pasur parasysh se prej klasës së parë të shkollës fillore deri në vitin e katërt të shkollës së mesme nevojiten rreth 250 tekste shkollore. „Ministria nuk ka ide se çfare bëhet nëpër shkollat në gjuhën shqipe, në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë“, thotë Halimi i acaruar.

Problemin më të madh e kanë profesorët, veçanërisht ata në shkollat e mesme, sqaron Nexhmedin Ahmeti. „I blejnë librat në Kosovë e Shqipëri, në Tiranë e Beograd. Nëse është literaturë profesionale, s´ka lidhje si quhet autori. Me rëndesi është që të gjejnë një substancë për të dhe të mund të përkthejnë diçka për t´i përdorur si shënime për ligjerata dhe e tëra përfundon këtu“, thotë Nexhmedin Ahmeti.

Mungojnë tekstet shkollore edhe në serbisht

Sipas ligjeve të Serbisë, pakicat kombtare kanë të drejtë të shkollohen në gjuhën amtare, por vetëm me planprogram të Ministrisë Shtetërore të Arsimit. Por, ministria në këtë rast jo vetëm që nuk ka siguruar tekstet në gjuhën shqipe, por atje mungojnë tekstet edhe për orët obligative në gjuhën serbe. Ndër pasojat e kësaj gjendjeje është fakti se të rinjtë shqiptar e flasin me vështirësi gjuhën e shtetit të cilit i përkasin. Radovan Delibashiç, shef i Zyrës Koordinuese për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, thekson se me një dukuri të tillë përballet çdo ditë.

„Përshendetjes sime me „Dobar dan“, nuk i përgjigjet asnjeri. Në përshendetjen time „Mirëdita“, përgjegjen me „Mirëdita“. Në bisedë me drejtorin i cili poashtu nuk di mirë serbisht, kam pyetur nëse fëmijët mbajnë orë serbisht? Më është përgjigjur se mbajnë dy herë në javë“, tregon Delibashiq për takimin e tij me nxënësit e kombësisë shqiptare në jug të Serbisë.

Autor: Milica Ivanovic/ Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW