051010 Zustand Weltwirtschaft
6 Tetor 2010
Thomas Straubhaar, drejtor i Institutit të Ekonomisë Botërore në Hamburg, e mbyll diagnozën e tij me një pyetje:
"Pacienti ekonomi botërore ndodhet në rrugën e përmirësimit dhe është larguar nga krevati i pacientit. Vetëm: a është shëruar ai në masën, sa të ecë pa paterica shtetërore?"
Në përgjigjen, që i jepet kësaj pyetjeje, shprehen mendime të ndryshme. Sepse rreziqe ka kudo.
A do të ketë recesion të dyfishtë?
Njëri madje e ka burimin tek ekonomia popullore më e madhe e botës, mendon Denis Snower, president i Institutit të Kilit për Ekonominë Botërore:
"Ka mundësi që SHBA të futen në një recesion double-dip, të dyfishtë."
Motori koniukturor atje ka filluar me të vërtetë të ngecë. Produkti i brendshëm bruto u rrit nga prilli deri në qershor, i llogaritur për gjithë vitin, vetëm me 1,6 përqind. Papunësia ka mbetur në një nivel prej 9,6%.
Që ekonomia e SHBA nuk u rimëkëmb kaq shpejt sa pas recesioneve të shkuara, për këtë Thomas Straubhaar-i nga Instituti për Ekonominë Botërore i Hamburgut bën bashkëpërgjegjëse qeverinë Obama. Ajo bën një politikë, e cila nuk përkon me atë çfarë konsiderojnë të natyrshme amerikanët.
Straubhaar: Amerikanët besojnë jo te mbështetja nga shteti por te përgjegjësia vetjake
"Ajo, që konsiderojnë të natyrshme amerikanët, nuk është një sistem, tek i cili shteti fillon të zbatojë gjithnjë e më shumë një socialdemokratizim, për të arritur shtete sociale të mirëqënies të modelit evropian. Barak Obama duhet të pranojë se me politikën e tij të një rritjeje të nxitur nga shteti, nuk e ka besimin e popullit, i cili i beson para së gjithash përgjegjësisë vetjake, vetëvendosjes dhe forcave të tregut."
Disbalanca në tregtinë me Kinën
Qeveria e SHBA e kërkon fajin më tepër tek të tjerët dhe i gjen shpejt fajtorët: Kina siguron përfitime, përmes monedhës, që e mban të lirë dhe krijon pabarazi të konsiderueshme në tregtinë bilaterale. Kjo tani po shtohet. Kështu deficiti amerikan në tregtinë bilaterale me Kinën, në gjysmën e parë të vitit u rrit në 119 miliardë dollarë. Këto disbalanca shihen si nga shkaqet kryesore për krizën. Ekonomisti amerikan, Denis Snower, sheh nevojë për të vepruar tek të dyja shtetet:
"Nëse Kina synon të ndërtojë me kohë një shtet të mirëqenies, atëherë kinezët do të detyrohen të kursejnë më pak. Ky do të ishte një kontribut i madh. Kur ne në SHBA krijojmë produkte të reja financiare, të cilat mundësojnë që buxhetet familjare të mbrohen nga rreziqe më të mëdha dhe që institutet financiare të paguajnë për rreziqet e tyre, atëherë amerikanët nuk do të konsumonin në një mënyrë, e cila nuk është e qendrueshme."
Shtete të tëra nuk i rezistojnë tundimit të jetojnë mbi mundësitë e tyre
Në borxhe të mëdha nuk kanë hyrë vetëm konsumatorët amerikanë, shtete të tëra nuk i rezistojnë tundimit, që të jetojnë mbi mundësitë e tyre me ndihmën e kredive të lira. Këtë vit mali i borxheve në vendet e Euros do të shtohet në 85% të gjithë produktit të brendshëm bruto. Kriteret e Mastrihtit lejojnë 60%.
Borxhet mund të bëjnë që shtetet të lejojnë shkallë më të lartë inflacioni
Kjo i zhvlerëson automatikisht borxhet e tyre. Por më i shpejtë se inflacioni mund të tregohet një fantazmë tjetër: deflacioni. Ky gjithmonë duhet llogaritur, mendon Dennis Snower:
"Nëse ekonomia botërore nuk do të rimëkëmbet si duhet, nëse do të kemi një recesion të tipit double-dip, atëherë ne do të ndodhemi përpara një problemi, sepse politika monetare e ka shkarkuar tashmë barutin e saj."
Ajo nuk do të kishte më në dorë mjete, për të nxitur koniukturën. Më pak investime dhe më pak kërkesë do të kishin pastaj si rrjedhojë çmime, që bien, pra deflacionin. Ai, që e di se nesër gjithçka kushton më pak, nuk blen, por pret. Ai që nuk blen mallra, nuk investon dhe pakëson personelin. Kësaj spirale tatëpjete i druhen ekspertët më tepër se inflacionit.
Autor: Zhang Danhong/Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica